Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj njoftimit të Presidencës së Kosovës për hapjen e profileve të reja zyrtare në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë çështje si të parëndësishme përballë problemeve reale të qytetarëve.
Në një postim në Facebook, ajo ka kritikuar fokusin e institucioneve në këtë temë.
“Pashë Zotin, a për llogari të Facebook-ut dhe Twitter-it po bëni beteja? Kjo është tallje me qytetarët. Hajgare koti. Inate provinciale”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve janë shumë më urgjente sesa menaxhimi i rrjeteve sociale.
“Po punë e madhe kush e ka Facebook-un. Punë vërtetë e madhe janë çmimet e papërballueshme të gjërave më bazike. Punë vërtetë e madhe është mafia energjetike”, u shpreh ajo.
Çitaku ka përmendur gjithashtu gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale në vend.
“Punë vërtetë e madhe janë rrogat e ulëta, që i kanë sjellë punëtorët tanë në prag të varfërisë. Pensionet poshtëruese, me të cilat nuk përballohen as ilaçet. Këto janë hallet”, ka shtuar ajo.