Vlora do të ndriçohet me burime alternative të energjisë

Prishtinë | 24 Maj 2018 | 09:03 | Nga

Bashkia e Vlorës po përgatitet për shfrytëzimin e burimeve alternative për ndriçimin e mjediseve publike në qytet, për shkak të rritjes së ndjeshme të sasisë së energjisë elektrike që nevojitet për këtë qëllim.

Kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, i tha ATSH-në se përmes një projekti që do të financohet nga BE-ja, do të mundësohet shfrytëzimi i energjisë diellore, çka do të kërkojë instalimin e një sistemi panalesh të standardit bashkëkohor.

Në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së në Tiranë, është në fazën e finalizimit procesi për të realizuar këtë projekt, që tashmë është gati dhe që mundëson aplikimin e një forme tepër efiçente për nevojat e ndriçimit në qytet. Aktualisht, Bashkia e Vlorës planifikon një fond mujor prej 13 milionë lekësh, ose rreth 100 mijë euro, për nevojat e ndriçimit të mjediseve publike, një shifër kjo rreth 5 herë më e madhe krahasuar me vitin 2015, kur për ndriçimin e qytetit konsumohej çdo muaj një sasi energjie elektrike e konvertuar në 3 milionë lekë, ose 20 mijë euro.

Transformimi dhe modernizimi i hapësirave publike, rrjedhojë e investimeve të shumta në infrastrukturë, që janë realizuar gjatë këtyre 3 viteve, shtuan edhe nevojat për energji elektrike.

Në qytetin e Vlorës është instaluar një sistem bashkëkohor ndriçimi, që shoqëron projektet e përfunduara apo që janë në proces zbatimi në këtë qytet. Projekti i “Lungomares”, Sheshi i ri i emërtuar “Tre Racat”, unaza e re e qytetit nga godina e Poliklinikës deri në Ujin e Ftohtë, ajo nga godina e spitalit deri tek Bashkia dhe në hyrje të qytetit, si edhe një sërë projektesh të rehabilitimit apo rikonstruksionit të plotë të rrugëve dhe hapësirave mes blloqeve të banimit, janë shoqëruar edhe me instalimin e sistemeve përkatëse bashkëkohore të ndriçimit.

Po kështu edhe projekti i aksit të rëndësishëm “Transballkanikja”, së bashku me segmentin e hyrjes së re të qytetit, janë plotësuar me sistemin e munguar të ndriçimit,çka ka ndryshuar plotësisht atmosferën e Vlorës, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe të natës Dikur e zhytur në errësirë, sot Vlora ka një standard bashkëkohor ndriçimi të krahasueshëm me qytete të zhvilluara në vende të tjera, çka vlerësohet edhe nga turistë të huaj që vijnë këtu.

Ky shtim i dukshëm i nevojave për ndriçim, ka nxitur Bashkinë për t’ju drejtuar mënyrave formave të tjera të burimeve alternative dhe konkretisht asaj të energjisë diellore, çka përputhet edhe me profilin klimatik të qytetit. Në këtë këndvështrim, kryebashkiaku Leli, thotë se, projekti në fjalë vlerësohet mjaft efektiv në pikëpamjen ekonomike por edhe në funksion të pritshmërive të zhvillimit të qytetit. Kjo formë bashkëkohore, u shtohet investimeve të realizuara në funksion të asaj që emërtohet profili “smart city”, në kuadër të të cilit janë implementuar projekte intriguese, sikundër është “SmartCity Lungomare”, i vlerësuar me Çmim Kombëtar nga Shoqëria Civile, apo të tjera që janë në synimet e Bashkisë për muajit dhe vitet në vazhdim.

Qyteti i Vlorës po përjeton aktualisht një periudhë transformimi të plotë. Mes investimeve të shumta në proces, përfshihet edhe projekti i rikonstruksionit dhe rikonceptimit të bulevardit Vlorë-Skelë, ku punimet në segmentin e parë, janë në një fazë intensive.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme