“Regina Group” ka hapur sezonin turistik, duke ftuar turistët, në veçanti ata nga Kosova dhe vendet e tjera shqipfolëse, që të shijojnë detin dhe atraksionet e tjera që ofron Vlora.
Vasil Bedinaj pronari i “Regina Group” i tha Ekonomia Online se qyteti i Vlorës për çdo vit po përmirëson shërbimet, infrastrukturën, hotelet, baret e plazhet.
“Vlora tashmë është një qytet tjetër, paraqitet më i kompletuar për sa i përket shërbimeve, hoteleve, bareve, restoranteve, plazheve të ndryshme, me një cilësi më të përmirësuar për sa i përket shërbimeve kështu që jemi më komodë në ofertat tona që ne bëjmë për qytetarët e Kosovës”.
“Duke pasur oferta të mira po ashtu edhe shërbimet dhe të gjithë programin që ne bëjmë me agjencitë përkatëse për t’u ofruar turistëve apo klientëve tanë që të kalojnë një fundjavë apo disa ditë në qytetin e Vlorës”.
“Në dy tre vitet e fundit kemi pasur një ndryshim thelbësor. Bëjmë një koordinim të mrekullueshëm duke i ofruar Kosovës detin në sezon vere dhe ne të detit të shkojmë në malet e Sharrit apo gjithandej në Kosovë”.
Shpëtim Turkaj, drejtor i “Fibula Travel Agency”, tha se këtë vit fluksi është pakëz më i dobët se vitin e kaluar, për shkak të muajit të Ramazanit dhe motit që ishte më i ftohtë sivjet. Por, ai pret që me ngrohjen e motit të ketë shtim të vizitorëve nga Kosova në Vlorë.
Turkaj ka treguar për Ekonomia Online se “Fibula” këtë vit ofron llojllojshmëri hotelesh në bregdetin e Vlorës, por edhe në gjithë bregdetin shqiptar.
“Presil që pas festës së Bajramit do të fillojë fluksi siç ka qenë më parë. Kosovarët fluksin kryesor e kanë kryesisht në korrik, gusht dhe në fillim të shtatorit”.
“Fibula për vitin 2022 ofron llojllojshmëri të hoteleve në Shqipëri, duke filluar prej Veriut në Shëngjin e deri në Ksamil në jug”.
“Çdo vit edhe cilësia e shërbimeve ka filluar të rritet në Shqipëri. Hotelet duke punuar e kanë rritur shërbimin, cilësinë, pastërtinë, këto të cilat janë gjëra kryesore për të pushuar”.
“Sivjet është një risi sepse kemi hapur zyrën në Tiranë, ku është përfaqësia e Fibulës. Do të sjellim turistë prej 7 shteteve. Vitin e ardhshëm do të vazhdojmë duke rritur tregun”.
Edhe Ruzhdi Kurtishaj, pronar i “Sharr Travel”, tha se për shkak të motit jostabil, si dhe muajit të Ramazanit, fluksi ka qenë më i vogël.
“Kjo është një hapje e sezonit turistik për Vlorën, përkatësisht për hotelet e Regina Group, andaj është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë. Tashmë Vlora është me plot pushues nga Kosova dhe këta pushues do vazhdojnë të frekuentojnë Vlorën nga tash e deri në sezonin veror, kur kemi edhe një numër të rritjes së pushuesve në Vlorë për shkak të diasporës”.
“Edhe muajt e Ramazanit kemi punuar çdo herë mirë, por për fat të keq këtë vit patëm një kohë jostabile dhe kjo na ka ndëshkuar. Para se të kemi një mot jostabil kanë qenë masat për vaksinën e tretë, ajo na ka dëmtuar shumë, por sido që të jetë shifrat flasin për një kërkesë në rritje për bregdetin shqiptar”.
“Vlora përveç se është një destinacion turistik ka edhe atraksione këtu në Regina Group brenda Vlorës që është lundrimi me anije në shpellën e Haxhi Alisë, në Sazan dhe Karaburun, kemi Kalanë e Kaninës përballë detit dhe shëtitorja e qytetit një tjetër atraksion. Qytetarët po e vizitojnë qytetin edhe gjatë fundjavave jo vetëm gjatë pushimeve verore”.
Arjola Çobani nga “Guida Turistike” shoqëron vazhdimisht vizitorët për t’ua treguar historinë e Vlorës dhe të vendeve që përmbajnë histori shekullore.
Ajo ka shoqëruar një grup me përfaqësues të medieve dhe operatorëve turistikë nga Kosova, duke shpjeguar pa përtesë historinë e Kalasë së Kaninës, qendrës historike të Vlorës e cila është restauruar, Manastirin e Zvërnecit, Shtëpinë e Pavarësisë etj.
Çobani tha për Ekonomia Online se vitin e kaluar Vlora llogaritet se ka pritur mbi 300-400 mijë turistë, megjithëse disa nga masat e pandemisë ishin ende në fuqi.
Një nga atraksionet që ofron Vlora është dhe Kalaja e Kaninës, e cila ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës, në një kodër me lartësi 380m mbi nivelin e detit. Muri rrethues është i gjate 1 km dhe përfshin një sipërfaqe prej 3.5 hektarësh. Mendohet te jetë ngritur nga shekulli i IV p.e.r.
Çobani ka treguar se Kalaja e Kaninës më shumë vizitohet nga të huajt sesa nga shqiptarët.
Fotot: ©Ekonomia Online