Një 40-vjeçar në Vlorë ka tentuar të djegë dy fëmijët e tij duke i spërkatur me benzinë. Fatmirësisht ka ndërhyrë policia, duke arritur t’i shpëtojë ata në kohë.
Gjithçka ka ndodhur kur Zigur Lleshi është nisur nga shtëpia me fëmijët e mitur 3 dhe 4 vjeç, duke njoftuar të vëllanë se do t’i vriste ata dhe veten.
Vëllai i tmerruar ka njoftuar menjëherë policinë. 40-vjeçari ka shkuar poshtë shtëpisë së vjehrrit, ku gjendej edhe bashkëshortja e tij, e cila ishte larguar nga banesa një ditë më parë, raporton Tch.
Pasi ka thirrur në emër bashkëshorten dhe kjo e fundit doli në ballkon, ai ka nxjerrë bidonin 1.5 litërsh me benzinë dhe është spërkatur bashkë me të dy fëmijët.
Policia, e cila ishte njoftuar më parë, i bëri thirrje të mos e kryente veprimin e gabuar pasi po rrezikonte fëmijët, por ai nxori çakmakun. Sapo ka tentuar ta ndezë atë, ai është neutralizuar prej efektivëve.
Babai është transportuar më tej për në polici, së bashku me fëmijët. Në vendin e ngjarjes shkoi edhe nëna e 40-vjeçarit, e cila i kërkoi të merrte fëmijët, ndërkohë që vjehrra e tij dëshmon se ai është i alkoolizuar.