Opozita në Maqedoninë e Veriut sot doli në një protestë të re në Shkup ku kërkuan dorëheqjen e Zoran Zaev dhe stop tregtisë me identitetin maqedonas.
Udhëheqësi i VMRO-së, Hristijan Mickoski para qeverisë tha se ka informacione se këtë fundjavë në Sofje po negociohet për identitetin maqedonas dhe për copëtimin e Maqedonisë.
Ai dërgoi katër mesazhe – i pari deri te politikanët bullgarë.
“Në vend që të thoni që Mickoski udhëheq histeri anti-Bullgare në Republikën e Maqedonisë, do të ishte mirë të vini këtu gjatë vizitës së parë jo shumë larg ndërtesës së Qeverisë, para monumentit të luftëtarëve të rënë të luftës nacionalçlirimtare, të gjunjëzoheni, për të ndjekur shembullin e Vili Brandit dhe t’i kërkoni falje këtij populli për atë që ua keni bërë atyre, ky është shansi juaj i fundit’ deklaroi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski kërkoi nga faktori ndërkombëtar të mos lejonte përhapjen e politikave mesjetare. Ai i tha Zaevit se përveç për krim, ai do të mbante përgjegjësi për tradhti të lartë.
“Dhe gjëja e katërt për popullin maqedonas dhe kombin maqedonas, për shqiptarët, turqit, vllahët, romët, serbët, boshnjakët, egjiptianët, për të gjithë bashkëqytetarët tanë, dilni vëllezër dhe motra dhe ndihmoni Maqedoninë’ pohoi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Opozita po proteston për të tretën ditë me radhë, pas intervistës së Kryeministrit Zoran Zaevit për mediat Bullgare në të cilën ai bëri disa deklarata të ndjeshme që trazuan publikun në vend./ALSAT