Mërgim Vojvoda pothuajse ia ka siguruar Torinos mbijetesën në Serie A me golin e dytë radhazi dhe të dytin në ligën italiane në përgjithësi, në barazimin 1:1 me Hellas Veronën të dielën.
Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës, Vojvoda është duke luajtur rol të rëndësishëm në luftën e Torinos për mbijetesë në ligën elitare italiane, pasi ia siguroi katër pikë në dy ndeshjet e fundit me golat e tij.
Mbrojtësi i djathtë nga Skenderaj e kaloi Torinon në epërsi 1:0 kur shënoi me kokë nga afërsia, pasi u shërbye nga Cristian Ansaldi, në minutën e 85-të në Marc’Antonio Bentegodi.
Ky gol i Vojvodës edhi vetëm pak ditë pasi ai e shënoi golin e parë në fanellën e Torinos në fitoren kundër Parmës 1:1 të hënën.
Por festën e tij dhe të Torinos e prishi Federico Di Marco që e barazoi rezultatin në minutën e 88-të.
Me këtë barazim, Torino ngel në vendin e 15-të në tabelën e Serie A, gjashtë më shumë se vendi i 18-të, Benevento, por një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ky ishte goli i dytë i mbrojtësit të djathtë 26-vjeçar në 26 paraqitje zyrtare për Torinon në të gjitha garat këtë sezon dhe i dytë në përgjithësi për klubin italian prej se iu bashkua në verën e kaluar.
Vojvoda ka pasur vështirësi të zërë vendin e titullarit në skuadrën e Davide Nicolës, shkaku i konkurrencës së madhe nga Singo, duke i bërë vetëm 15 paraqitje si titullar tërë sezonin.