Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ishte i ftuar në Asamblenë e Zakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në një intervistë ekskluzive për Sport New, numri një i FFK-së foli për çështjet më të nxehta aktualisht në futbollin kosovar, si ajo e infrastrukturës, përfaqësueses në eliminatore, por dhe marrëdhënieve me FShF-në.
Sezonin e kaluar, klubet kosovare për shkak të mos plotësimit të kushteve në infrastrukturë por dhe organizim nuk mundën të merrnin pjesë në kompeticionet evropiane ndaj një zgjidhje e shpejtë për sezonin e ri evropian është prioritet dhe i vetë Vokrrit në këtë moment, mbi të gjitha sa i përket ndihmës ndaj klubeve në infrastrukturë.
Ndeshja e radhës për Kosovën për eliminatoret e Botërorit rus është me Islandën në “Loro Borici” dhe Vokrri tregohet realist kur e cilëson sfidë të vështirë pavarësisht se shpreson në marrjen e një rezultati pozitiv.
Një çështje e nxehtë është dhe ajo e krijuar dhe e fryrë artificialisht në rrjetet sociale sa i përket marrëdhënieve mes FShF-së dhe FFK-së mbi të gjitha në menaxhimin e talenteve. Një temë, ku Vokrri e bën të qartë se nuk ekziston.
Në fund, presidenti i FFK-së Vokrri vlerësoi dhe diskutimet e ngritura në Asamblenë e Zakonshme të FShF-së, duke i cilësuar debatet si konstruktive dhe të frytshme.