Seritë finale të volejbollit në të dyja konkurrencat, që fillojnë këtë vikend, do të zhvillohen pa praninë e publikut, ashtu siç rifilloi ky edicion muajin e shkuar pas një pauze prej tre muajve shkaku i përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Në të vërtetë Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) gjatë tërë kësaj jave ka planifikuar për të lejuar kthimin e tifozëve në ndeshjet finale, normalisht me një numër të limituar. Mirëpo ky plan u prish me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës, e cila ditë më parë njoftoi për masat e reja parandaluese për përhapjen e koronavirusit, duke bërë të ditur se nuk do të lejojë tubimin e më shumë se 50 personave në vende publike. Ky vendim ka bërë që FVK-ja ta mbyllë këtë edicion ashtu siç e rifilloi, pa shikues në tribuna. Të shtunën (sot) zhvillohen ndeshjet e para të serisë finale të këtij edicioni në të dyja konkurrencat. Tek meshkujt, Ferizaj e pret ekipin Prishtina Volley, ndeshje kjo që nis në orën 18:00. Ndërsa tek femrat prej orës 20:10 në Prishtinë do të përballen M-Technologie dhe Skënderaj. Kampioni në të dyja konkurrencat do të shpallet pas dy fitoreve.
“Për ne si federatë primar është shëndeti i sportistëve për shkak se jemi kujdesur maksimalisht që çdo gjë të shkojë sipas planifikimeve qëkur ka rifilluar edicioni. Në fakt, ne e kishim si ide rikthimin e numrit të limituar të publikut në tribuna për ndeshjet finale, me të cilat edhe mbyllet ky edicion. Por, vendimi i fundit nga qeveria dhe numri i madh i rasteve ka bërë që mos të lejojmë një gjë të tillë. Pra, edicionin ta mbyllim pa publik për shkak se kjo është për të mirën e të gjithëve”, ka thënë sekretari i FVK-së, Valon Nikqi, të premten. “Ndoshta do të kishte qenë mirë që finalet të luhen me numër të limituar publiku, por këtë herë situata është ajo që na detyron të mos i hapim dyert. Me rëndësi është ta mbyllim këtë edicion që rifilloi pas një pritjeje të gjatë dhe pastaj të shohim për edicionin tjetër, ku shpresoj që publiku do t’i ketë dyert e hapura”.
Një vendim të ngjashëm si FVK-ja e ka marrë edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) që ka insistuar se për rikthimin e publikut në tribuna po mendohet vetëm për edicionin e ardhshëm. FFK-ja, edhe kur qeveria shfuqizoi vendimin që ndalonte praninë e publikut nëpër ngjarje sportive, kishte insistuar se do t’i vazhdonte ndeshjet e këtij edicioni prapa dyerve të mbyllura. Futbolli është sporti i parë kolektiv në Kosovë që ka rifilluar me gara në fillim të muajit të shkuar, duke iu përmbajtur një udhëzuesi për parandalimin e pandemisë COVID-19, të përpiluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Në të vërtetë, ditë më parë, Komisioni Shëndetësor i FFK-së ka reaguar për faktin se ka konstatuar që udhëzuesi nuk po respektohet plotësisht, duke ua tërhequr vërejtjen të gjithëve.
“Zyrtarët e të gjitha klubeve të Ipko Superligës (pa përjashtim), që po qëndrojnë në tribuna gjatë ndeshjeve nuk po i respektojnë masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.
Kurse lojtarët, stafi i trajnerëve dhe ekipet mjekësore kryesisht janë duke i respektuar masat mbrojtëse.
Zyrtarët shëndetësorë të Federatës së Futbollit të Kosovës kërkojnë nga të gjithë zyrtarët e klubeve të Ipko Superligës që gjatë pranisë së tyre në tribuna të mbajnë maskë dhe ta mbajnë distancën me njëri – tjetrin”, thuhej në njoftim.
Krahas futbollit e volejbollit, edhe hendbolli ka rifilluar me gara pas pauzës shkaku i pandemisë por jo edhe basketbolli që ka anuluar edicionin pa shpallur kampionët. Për dallim prej futbollit e volejbollit, hendbolli tashmë e ka mbyllur sezonin 2019/20 dhe ka caktuar skuadrat edhe për pjesëmarrje në garat evropiane për edicionin 2020/21. Javën e shkuar Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) e përmbylli edicionin e pandemisë me ndeshjet finale të Kupës së Kosovës, të cilat u zhvilluan disa ditë pasi u shpallën kampionët në të dyja konkurrencat. Megjithatë, në finalen e Kupës së Kosovës, FHK-ja lejoi numër të limituar të publikut në tribuna për t’u bërë sporti i parë që riktheu tifozët në këtë kohë pandemie.