Volejbollisti Hajdaraj, kampion edhe në hedhje të shtizës

Prishtinë | 04 Gus 2020 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Muajin e kaluar, Bardhyl Hajdaraj fitoi titullin e kampionit me klubin e volejbollit Ferizaj. Ishte titulli i parë për klubin, por për Hajdarjan trofeu i 16-të në karrierë. Hajdaraj kampion doli edhe në një sport tjetër këtë edicion – atletikë. Si atlet i klubit të atletikës “Mitrovica”, ai zuri vendin e parë në hedhje të shtizës, në kampionatin e atletikës për seniorë dhe pionierë që u mbajt të dielën e shkuar në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Hodhi shtizën në largësi prej 45.30 metrash, derisa kampioni i vitit të kaluar ishte Samir Taranish, ishte më i shkurtër në hedhjen e tij – 43.50 metra. Për Hajdarjan, ky sukses është plotësisht i papritur për shkak se ai asnjëherë nuk e ka stërvitur këtë disiplinë. Në fakt, para dy javësh, për herë të parë e provoi veten në hedhjen e shtizës dhe doli i pari, kurse një javë më vonë u shpall edhe kampion i Kosovës. Ai këtë disiplinë e ka pasur vetëm si ide.

“Asnjëherë nuk kam ushtruar, e as nuk kam hedhur shtizën. Vikendi i kaluar ishte hera e parë dhe për mua është një ëndërr e bërë realitet”, thotë Hajdaraj që muajin e kaluar për herë të parë kishte kapur shtizë me dorë, ku edhe e fitoi Kupën e Kosovës. “Ideja e hedhjes së shtizës është e kamotshme. Duke e ditur forcën dhe shpejtësinë e krahut si volejbollist gjithmonë kam qenë optimist se nëse hy në gara do të dal triumfues në këtë disiplinë”.

Hajdaraj thotë se i vjen keq që me atletikë nuk është marrë në moshë të re, por kësaj disipline i është përkushtuar tash, si 32-vjeçar.

“Nëse kisha stërvitur me rregull në hedhje të shtizës, sot me bindje të plotë e them se do të isha në mesin e yjeve të shtizës”, insiston Hajdaraj.

Në fakt, Hajdaraj qysh nga viti 2018 kishte tentuar të marrë pjesë në gara. Ai tregon se në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit 2018 nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), ishte bashkë me një tavolinë me atletët më të mirë të Kosovës, ku edhe e kishte shprehur dëshirën për të hyrë në gara.

“Dëshirën time ia prezantova Xhavit Tahirit, trajnerit të klubit të atletikës Mitrovica. Ai më premtoi se do të më ftonte dhe para dy javësh më erdhi ftesa të cilën e pranova me dëshirë. Përkundër që ende vuaj nga lëndimet e pësuara nga kampionati i volejbollit, arrita ta fitoj kupën e po ashtu edhe të dal i pari në kampionat, madje i pa konkurrencë. Në garën e kupës ka marrë pjesë edhe kampioni i Kosovës e po ashtu kishte konkurrencë të madhe, kurse në kampionat, kampioni mungoi”, ka thënë Hajdaraj, që si volejbollist ka 16 trofe të fituar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme