Von Cramon ia thotë në sy Vuçiqit: Nuk është mirë të jeni në anën e Putinit

Prishtinë | 30 Maj 2022 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Eurodeputetja  Viola von Cramon ka treguar se në takimin që pati me presidentin serb Aleksandar Vuçiq ia ka thënë në sy se ai duhet të vendosë se në anën e kujt është, si dhe që “nuk është mirë të jesh në anën e Putinit”.

Megjithatë, ajo ka thënë se me Vuçiqin ka pasë një diskutim të sinqertë dhe të hapur për çështjet aktuale, ku kanë pozicion të njëjtë, por edhe i kanë adresuar ato çështje ku kanë dallime.

Në një intervistë për mediumin serb “N1”, ajo tha se ata folën edhe për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, transmeton Gazeta Express.

“Duhet të vendoset në anën e kujt je. Nuk është mirë të jesh në anën e Putinit, pra në anën e gabuar të historisë”, ka zbuluar von Cramon nga biseda që ka pasë me Vuçiqin.

“Sigurisht që kemi biseduar për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, marrëdhëniet shumë të ngushta, nëse shikohen historikisht dhe për këtë arsye populli serb ndihet afër Rusisë, për shkak të trashëgimisë historike”.

Eurodeputetja tha se folën edhe për lidhjet ekonomike dhe lidhjet me infrastrukturën ruse dhe për atë se çfarë do të thotë ky ndikim në politikën e jashtme të Serbisë.

“Ne diskutuam për disa tema, duke filluar nga çështja e sanksioneve energjetike, varësia energjetike nga Rusia, alternativat e ndryshme për Serbinë, duke përfshirë burimet e ripërtëritshme të energjisë, efikasitetin e energjisë”, tha ajo.

Ndërkaq, von Cramon tha se Bashkimi Europian është i interesuar që ta afrojë Serbinë, por se i takon Serbisë të vendosë. Në këtë kontekst, ajo tha se ia ka bërë të qartë se partnerët europianë janë në përputhje me masat europiane e që janë sanksionet.

“Presioni për atë çështje do të rritet. Nuk është në dorën e BE-së, është një vendim që duhet ta merrni, Në anën e kujt jeni? A e sheh dikush vendin e tij në BE, në familjen europiane? Serbia është padyshim europiane dhe është në interesin tonë që Serbia të jetë në përputhje me politikën e BE-së”, tha ajo.

Kosova ishte gjithashtu temë në bisedën e raportueses për Kosovën në Parlamentin Europian me Vuçiqin.

“Ne duhet të sigurojmë që Kosova të marrë vendin e saj. Nuk është në interesin tonë që Serbia të lobojë kundër pavarësisë së Kosovës. Unë do të doja që Kosova të ishte në të njëjtin nivel me Serbinë brenda BE-së. Në fund, mendoj se do të jetë e vështirë për ta futur Serbinë në BE për këtë çështje”, tha von Cramon.

Të ngjashme