Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se krahasimin që presidenti serb Aleksandar Vuçiq e bën me ngjarjen në Ukrainë dhe luftën në Kosovë, është e papranueshme, shkruan e përditshmja serbe Danas.
Ajo madje thotë se ai e di se kjo luftë është shkelje e të drejtave ndërkombëtare – dhe se për këtë dyshja janë pajtuar gjatë një bisede që e kanë zhvilluar.
Duke folur për çështjen e Kosovës që është një temë aktuale në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe shkeljeve të drejtave ndërkombëtare, Von Cramon ka theksuar se ajo dhe Vuçiq janë pajtuar vetëm rreth kësaj çështje.
“Referenca e Vuçiqit që situata sot në Ukrainë është e ngjashme me situatën në Kosovë gjatë vitit 1999, është diçka që vërtetë nuk mund të pajtohem. Kemi pasur një bisedë të gjatë për situatën në vitin 1999 dhe pasojat të cila i ka lënë kjo luftë”, shtoi eurodeputetja.
“Askush sot në Mariupol, Kharkiv apo qytetet e tjera, nuk është nën çfarëdo represioni nga ukrainasit. Kam qenë në lindje të Ukrainës dhe i kam parë njerëzit sesi jetojnë atje”, tha ndër tjera Von Cramon.
Gjendja e sotme e dialogut në Prishtinë dhe Beograd, është e ngarkuar me krahasime – por sipas saj edhe me mungesë të perspektivës kredibile evropiane për të dyja palët.
“Situata për dialogun duhet të relaksohet – për këtë kemi nevojë për qëndrime konstruktive si dhe perspektivë kredibile evropiane. Të dyja vendet duhet të jenë anëtare të BE-së, por procesi i zgjerimit aktualisht ka ngecur dhe është vështirë të interpretohet kjo perspektivë në atë mënyrë që do të binte shumicën e njerëzve që të pajtohen për ndonjë kompromis”, theksoi ajo.