Von der Leyen dhe Costa dënojnë glorifikimin e Mlladiqit: Pamjet nga varrimi ishin tronditëse

Prishtinë | 08 Sht 2026 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, kanë reaguar pas ceremonisë së varrimit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mlladiq, në Beograd.

Në reagimet e publikuara në platformën X, dy zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian i kanë cilësuar si tronditëse pamjet nga varrimi, duke rikujtuar se Mlladiq ishte dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata kanë theksuar se Mlladiq vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Von der Leyen dhe Costa kanë shprehur gjithashtu shqetësim për elementet e mbështetjes zyrtare dhe praninë e disa zyrtarëve të lartë serbë në ceremoninë mortore.

Sipas tyre, një qasje e tillë paraqet një dështim për t’u përballur me një nga kapitujt më të errët të historisë së afërt evropiane dhe bie ndesh me vlerat mbi të cilat bazohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Reagimet e zyrtarëve të BE-së vijnë në një kohë kur ceremonia e varrimit të Mlladiqit ka nxitur kritika të shumta ndërkombëtare për shkak të mënyrës së glorifikimit të figurës së tij.

Të ngjashme