Von der Leyen i jep kredit Kosovës që hoqi bllokadën për mallrat serbe

Prishtinë | 17 Tet 2024 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e bllokadës ndaj mallrave serbe.

Këtë deklaratë, shefja e KE-së e bëri në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili u mbajt në Berlin këtë javë nën drejtimin e kancelarit Olaf Scholz.

“E mirëpres marrëveshjen e arritur javën e kaluar në nivel të CEFTA-s. E mirëpres në veçanti që pengesat ndaj eksporteve nga Serbia në Kosovë do të hiqen. I uroj të dyja palët që treguan kaq vullnet politik”, tha von der Leyen, raporton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, ajo e falënderoi edhe kancelarin gjerman për përpjekjet e tij ndërmjetëse për këtë arritje. Sepse, siç u shpreh shefja e KE-së, “ky është një hap shumë konkret drejt normalizimit”.

Von der Leyen mirëpriti edhe firmosjen e planit të ri të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.

E para e KE-së tha se konfliktet e fundit e kanë bërë Unionin ta kuptojë se “një Union më i madh është një Union më i fuqishëm”, teksa shtoi se “është përgjegjësi e jona për t’i sjellë më afër nesh vendet aspiruese”.

“Për këtë arsye ia kemi zgjatur Ballkanit Perëndimor masat e njëjta solidarizuese që i kemi marrë brenda Unionit tonë. Një shembull është kriza energjetike. I kemi ndihmuar familjet e Ballkanit Perëndimor të tejkalojnë kostot e rritura të energjisë përmes Pakos sonë Mbështetëse për Energjinë në shumë prej 1 miliard euro. Tani jemi duke ndërtuar infrastrukturë energjetike për ta bërë Ballkanin Perëndimor më të pavarur për kah energjia, me një plan investimi prej 30 miliardë eurosh”, u shpreh von der Leyen, mes tjerash.

Po ashtu, presidentja e KE-së tha se ndonëse 10 vite më parë nuk ka qenë prioritet, “sot zgjerimi është fort lart në agjendën tonë”.

“Kur shohim të ardhmen, shohim një të ardhme ku të gjithë gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Bashkimit tonë Evropian. Për të arritur atje, besoj se duhet t’i shfrytëzojmë mësimet e zgjerimit të vitit 2004. Parakusht i parë është harmonizimi me vlerat tona themelore evropiane: respekti për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Dhe parakushti i dytë është integrim i hershëm ekonomik. Për këtë arsye Procesi i Berlinit luan rol kyç. Gjithmonë ka qenë forca shtytëse prapa integrimit ekonomik rajonal. Dhe kështu, Procesi i Berlinit u bë promotori i Tregut të Përbashkët Rajonal i të Gjashtës së Ballkanit Perëndimor. Është qenësore që ky Treg i Përbashkët Rajonal të funksionojë lehtësisht. Sepse i mundëson kompanive të Ballkanit Perëndimor të tregtojnë, të inovojnë dhe të krijojnë vende të mira pune”, potencoi von der Leyen.

Po ashtu, ajo kërkoi që Tregu i Përbashkët Rajonal të lidhet me Tregun Unik Evropian, dhe shtoi se “kjo urë është Plani ynë i Rritjes për Ballkanin Perëndimor – 6 miliardë euro investime”.

Por, në mënyrë që të përfitohet nga kjo shumë, ajo tha se Ballkani Perëndimor duhet të adoptojë reforma. 

Të ngjashme