Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se edhe në mandatin e saj të dytë në krye të agjendës është zgjerimi i BE-së dhe se do të përkushtohet që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen në BE, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, ajo ka thënë se Kosova ka punuar fort për fuqizimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Sukses të madh, Von der Leyen e ka konsideruar edhe heqjen e vizave për Kosovën, gjë e cila tregon “sa shumë mund të arrijmë kur punojmë bashkë”.
“Kosova ka pasur një sukses të madh, heqjen e vizave. Kjo tregon sa shumë mund të arrijmë kur punojmë bashkë. E di që vitet e fundit, Kosova ka punuar shumë për të forcuar sundimin e ligjit. Ne mandatin tim të dytë zgjerimi do të jetë në krye të agjendës, do të punojmë shumë ngushtë së bashku. Plani i rritjes është i planifikuar që ti sjellë vendet e rajonit më afër me tregun tonë të përbashkët”.
“Kosova e ka bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë agjendë. Me shumë se 882 milion euro janë ndarë për Kosovën. Dua ta mirëpres marrëveshjen që u miratua para dy javësh në procesin e Berlinit. Ngritja e masave për lejimin e mallrave serbe në Kosovë, vendosja e skanerëve, këta janë hapa drejt BE-së. Ju përgëzoj për përkushtimin tuaj dhe vullnetin që keni treguar për BE”, ka thënë Von der Leyen.