Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se evropianët mund të jenë optimistë për t’i kaluar pushimet verore në bregdet, pavarësisht pandemisë së Coronavirusit.
Vetëm një javë pasi kërkoi që njerëzit të mos bëjnë plane për këtë verë, Der Leyen tash tha se pushimet verore mund të jenë të mundshme përmes gjetjes së zgjidhjeve të mençura.
“Unë mendoj se do të gjejmë zgjidhje të mençura për pushimet verore”, tha politikania gjermane gjatë një interviste për gazetën portugeze, Expresso.
“Ndoshta pak më ndryshe, me masa të tjera të higjienës, me distancë paksa më speciale, por është mbresëlënëse të shihet se ne kemi gjetur zgjidhje. Prandaj, jam optimiste për pushimet e verës”, shtoi ajo.
Von der Leyen tha kështu kur u pyet se a munden evropianët që të paktën të shkojnë në pushime brenda territorit të shtetit ku jetojnë. Megjithatë, ajo nuk saktësoi nëse e kishte fjalën për pushimet brenda apo jashtë vendit.
Për shumë shtete të Evropës Jugore, mundësia për mungesë të të hyrave nga turizmi është shumë negative dhe këto vende do të mundohen të gjejnë mënyra për t’i mirëpritur vizitorët sa më shpejt që është e mundur.
Von der Leyen tha se është mirë që shtetet kanë filluar t’i largojnë masat e kufizimit, por paralajmëroi se qeveritë duhet ta bëjnë këtë me kujdes, hap pas hapi dhe gjithmonë me vigjilencë.