Vonesat shkaktojnë tollovi në ANP “Adem Jashari” – Mbi 40 anulime të fluturimeve

Prishtinë | 02 Jan 2025 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të kushteve atmosferike të mërkurën dhe të enjten në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” janë anuluar 42 fluturime. Ndërkohë këto anulime kanë irrituar qytetarët të cilët janë detyruar të presin me orë të tëra, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, ka thënë përmes telefonit se 38 fluturime janë anuluar gjatë së mërkurës disa prej të cilave janë divertuar në aeroportet fqinje, ndërkaq, gjatë së enjtes Gara ka thënë se janë anuluar 4 fluturime.

Sipas saj dukshmëria nën 50 metra ka pamundësuar realizimin e fluturimeve.

“38 fluturime janë anuluar ditën e djeshme. Nga to disa janë divertuar në aeroportet fqinje. Sot janë anuluar 4 fluturime deri me tani. Dukshmëria ka qenë nën 50 metra, prandaj është pamundësuar realizimi i fluturimeve”, ka thënë zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara.

Por qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online, kanë thënë se vonesat u kanë shkaktuar telashe.

Haxhi Thaçi mërgimtar nga Stokholmi ka thënë se vonesat do t’i shkaktojnë telashe në punë, pasi është dashur që të presë me orë të tëra. Ai ka thënë se si shkak i vonesave, në shtetin suedez do të zbresë në ora 24:00.

“Kemi pas me fluturua në ora 5:40 të mëngjesit por na ka ardh SMS në ora 1:30 se ka vonesa deri në ora 14:10. Unë kam pas me fluturua për në Zurich dhe prej atje në Stokholm. Kam pas me fluturua 8 e mëngjesit për në Zurich e më pastaj me vazhdua pas një ore për në Stokholm e në ora 12:20 me mbërri. Tash kemi me u nis në ora 14:10 për në Zurich, me prit deri në ora 20:30 e më pastaj në ora 23:30 nuk mundemi me mbërri në Stokholm. Në vend se të mbërrij në ora 12 ditës, duhet të mbërrij në ora 24:00. Unë atje kam punë, është goxha telashe por jam i kënaqur që bile po fluturon sot”, u shpreh ky udhëtar.

Ndërsa qytetari tjetër, Ismail Maliqi, ka thënë se fëmijët e tij janë detyruar të qëndrojnë edhe një ditë në Kosovë si shkak i vonesave.

“Fëmijët shkuan tash, mbrëmë kanë pritur pesë orë në aeroplan dhe në fund u kanë thënë shkoni se nuk po fluturojmë për shkak të mjegullës. Mbrëmë ka qenë katastrofë, sot edhe më katastrofë sepse janë grumbulluar udhëtarët e djeshmit dhe të sotmes”, ka deklaruar ai.

Ndërsa njohësi i aviacionit civil, Arlind Imeri, ka thënë për Ekonomia Online se pajisjet me të cilat

aeroportin me kalu në kategorinë 3 që do të thotë se fizibiliteti duhet të jetë minimal deri në 50 metra për aterrim,

“Anulimet do të jenë vetëm një histori, ka deklaru ministri (Liburn Aliu) më 19 dhjetor kur e ka paralajmëruar instalimin e pajisjeve të cilat e mundësojnë aeroportin me kalu në kategorinë 3 që do të thotë se fizibiliteti duhet të jetë minimal deri në 50 metra për aterrim, mirëpo mbrëmë na doli diçka tjetër që këto pajisje ose nuk po funksionojnë ose ka ndonjë problem teknik, sepse fiizibiliteti ka qenë më i madh se 50 metra, por që ka pamundësua shumë aeroplanë të aterojnë në Aeroportin e Prishtinës”, u shpreh ai.

Por ndryshe nga ANP “Adem Jashari”, është deklaruar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu. Aliu ka thënë se janë anuluar 12 fluturime dhe se kjo ka ndodhur për shkak se pilotët e tyre nuk kanë qenë të certifikuar për sistemin që mundëson aterrim edhe në mjegull.

“Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë tërë kohës, pasi ka të instaluar dhe funksional sistemin e avancuar të aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash. Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë aterruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar”, ka shkruar Aliu në rrjetin social Facebook.

Imeri ka folur edhe për aterrimin “urgjent” të aeroplanit nga Hamburgu në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd. Sipas tij, Beogradi nuk e ka lejuar operatorin ajror “Eurowing” që të niset për në Prishtinë pasi e konsideron si aeroport të mbyllur, ndonëse ekziston marrëveshja për linjën Beograd-Prishtinë

“Rreth uljes së kompanisë që ka fluturuar prej Hamburgut për në Prishtinës, është e vërtetë që ka bërë një ulje në Beograd e cila nuk ka qenë ulje emergjente. Sipas kompanisë është një ulje për shkaqe sigurie se në kabinë ka pasur erë e që ekuipazhi nuk ka arrit me identifikua se prej nga po vjen dhe për shkaqe sigurie ka ateruar në aeroportin e Beogradit, mirëpo çfarë ka ndodhur pas aterrimit në Beograd është jashtëzakonisht shqetësuese dhe vë në pah neglizhencën e institucioneve të Kosovës ani pse ministri Aliu ka deklaruar se është përkujdesur për qytetarët e tyre, në fakt po del diçka tjetër”.

“Arsyeja pse nuk është lejuar një fluturim nga Beogradi për në Prishtinës është arsye politike, sepse për institucionet e Serbisë, Aeroporti i Prishtinës vazhdon me mbet një aeroport i mbyllur edhe pse ne e kemi një marrëveshje e cila është nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën Beograd-Prishtinë, mirëpo që asnjëherë nuk është bërë asnjë hap drejt implementimit të asaj marrëveshja”, u shpreh Imeri.

Të ngjashme