Portrete ku paraqiten gra, burra e fëmijë kanë mbuluar objektin “Termokiss” në lagjen “Dardania” të Prishtinës. Ende pa iu ofruar mirë ndërtesës, shihen fytyrat e ngrysura të personazheve që tashmë janë “fasadë” e masiveve të betonit, i braktisur për vite me radhë. Gjatë ditës së premte artistja Alketa Xhafa-Mripa është kujdesur deri në detaje për vënien e fotografive.
Janë 300 imazhe që në tri gjuhë; shqip, serbisht e anglisht, bëjnë thirrjen “Voto për t’i dhënë fund varfërisë”. Kështu titullohet edhe instalacioni i artistes kosovare. Xhafa-Mripa ka përzgjedhur fotografitë e fotografëve Hazir Reka, Arben Llapashtica e Xhemajl Sllovinja. Ua ka dhënë formën e posterëve, bash sikurse ato të partive, skruan sot Koha Ditore.
Krejt bashkë formojnë një mozaik ku secili nga personazhet që është protagonist përballet me hisen e vet të varfërisë. Artistja që jeton në Angli ishte ftuar nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) që në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës të ndajë çmimet në kategori të ndryshme për raportime që kanë të bëjnë me varfërinë.