Votohen anëtarët e rinj në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve

Prishtinë | 30 Maj 2024 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Nga Supremja u zgjodhën gjyqtarët Agim Maliqi me tetë vota, Rrustem Thaqi me nëntë vota dhe Sahit Sylejmani me tetë vota, nga Apeli u zgjodhën gjykatësit Besnik Bislimaj me tetë vota, Burim Shala me tetë vota dhe Faton Ademi me shtatë vota, kurse nga Themelorja u zgjodhën Luljeta Maxhuni dhe Drilon Haraçia.

Ndërkaq anëtar rezervë të këtij komisioni u zgjodh Kadrije Gogaj-Lubishtani.

Anëtarët për Vlerësim të Performancës kanë mandat 3-vjeçar.

Në këtë mbledhje KGjK, po ashtu, miratoi fillimisht draft-rregulloren për Klasifikimin e Vendeve të Punës për Nënpunësit Civil në Administratë ku nga kryetarja e Komisionit për çështje normative e KGJK-së Drita Rexhaj u tha ndër të tjera se përmes kësaj rregullore është krijuar një strukturë e qartë organizative.

Tutje u miratuan edhe draft-rregullorja për Procedurën Disiplinore për Nëpunësit në Administratën e Sistemit Gjyqësor ku sërish Rexhaj tha se në këtë draft-rregullore parashihen shkeljet e rënda dhe të lehta.

Gjithashtu në mbledhjen e KGjK-së u miratua edhe draft-rregullorja për Themelimin e Marrëdhënies së Punës me Kontratë për një Periudhë të caktuar në Administratën e Sistemit Gjyqësor e që nga Rexhaj u tha se përmes saj rregullohet procedura prej aplikimit e deri në nënshkrim të kontratës.

Po ashtu u miratua edhe draft-rregullorja për Orarin e Punës dhe Pushimet në Administratën e Sistemit Gjyqësor ku Rexhaj tha se përmes kësaj rregullore përcaktohet mënyra e shfrytëzimit të pushimeve, orarit të punës për gjithë nënpunësit e Administratës së Sistemit Gjyqësor.

Në vijim u miratua edhe draft-rregullorja për Transferimin e Nëpunësve në Administratën e Sistemit Gjyqësor ku Rexhaj ndër të tjera sqaroi se përmes kësaj rregullore edhe çështja e ankesës.

Është miratuar edhe rregullorja për Metodën Elektronike të përzgjedhjes së Administratorit të Falimentimit ku Rexhaj tha se ishte kërkesë e vet Gjykatës Komerciale që të dilet me një rregullore të tillë duke u mundësuar kështu përzgjedhja e administratorëve të falimentimit përmes metodës elektronike.

Është miratuar edhe Udhëzuesi për Normën e Punës së Bashkëpunëtorit Profesional ku paraprakisht vet kryesuesi i KGJK Albert Zogaj tha se përmes këtij udhëzuesi do u mundësohet gjykatave që të bëjnë krahasimet me punën e bashkëpunëtorëve profesionalë.

“Ky akt do te jap mundësi gjykatave që të krahasojnë punën e bashkëpunëtorëve nëpër gjykata” deklaroi Zogaj.

Në këtë mbledhje me votat e të gjithë anëtarëve prezent të KGjK u miratua edhe Propozimi i mentorëve për gjyqtarët që po ndjekin trajnimin fillestar në Akademinë e Drejtësisë.

Po ashtu u shpall konkursi për gjyqtar mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Prizren-dega në Dragash, se bashku edhe me komisionin për zgjedhje e gjyqtarit mbikëqyrës me në krye Shpresa Emra dhe anëtarët Artan Abazi dhe Teuta Ibrahimi si dhe anëtarin rezervë Avni Ahmeti.

Gjithashtu në pozitën e ushtruesit të detyrës së administratorit për Gjykatën Themelore në Ferizaj u caktua Avni Sylejmani për të filluar këtë punë më 3 qershor 2024.

Ndërkaq KGJK në këtë mbledhje anuloi konkurset për administratorë të gjykatave të Kosovës, miratoi listës shtesë për gjyqtarë porotë për Gjykatën Themelore në Prishtinë dy, Gjakovë dy, Ferizaj dy, Mitrovicë tetë.

Tutje, në këtë mbledhje KGJK miratoi edhe grupin punues për Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), si dhe bëri shpalljen e konkursit për certifikim dhe emërim për përkthyes dhe/apo përkthyes dhe interpretë gjyqësorë si dhe themeloi Komisionin Përzgjedhës  për testimin dhe vlerësimin e kandidatëve për përkthyes dhe/apo përkthyes dhe interpretë gjyqësorë.

Nga pikat 32 pika të mbledhjes së KGJK u hoqën nga rendi i ditës pika dy që ka të bëjë me  draft-rregullores për Kompensimin dhe Shpërblimin e Anëtarëve dhe Komisioneve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës duke u propozuar që të bëhet kompensimi në mënyrë retroaktive.

Si dhe pika 22 që ka të bëjë me pagesën e praktikantëve në gjykata, ku nga Drejtori i Sekretariatit të KGJK-së Shkelzen Maliqi u tha se në mbledhje e radhës do të vihet me propozim konkret për pagesat që do tu bëhen praktikantëve.

Më pas mbledhja e KGJK-së vijoi të mbahet e mbyllur për shqyrtimin e pikave 27, 28, 29, 30 dhe 31 të rendit të ditës.

Pikat e mbylla përfshijnë: Shqyrtimin e kërkesës së Zyrës së Kryeministrit lidhur me caktimin e anëtarit në Komisionin e Ankesave në zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Shqyrtimi i ankesës kundër vendimit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, i datës 17 maj 2024.

Shqyrtimi i kërkesës për shlyerje të sanksionit disiplinor të gjyqtarit Shaban Shala.

Shqyrtimi i listës me kandidatë gjyqtarë të propozuar për mundësinë për të qenë pjesë e paneleve hetimore.

Shqyrtimi i ankesës së evidentuar 01/423, të paraqitur ndaj vendimit  AD/GJTHPE/nr.3/24,  të nxjerr nga autoriteti kompetent (e mbyllur) /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme