Kuvendi i Kosovës ka votuar pro projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), për Projektligjin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), ndërsa ai i Ligjit të Zyrtarëve Publikë u shty për një seancë tjetër për shkak të mungesës së kuorumit, raporton Ekonomia Online.
Në seancë gjatë votimit ishin prezentë 61 deputetë, të gjithë të pushtetit, meqë deputetët opozitarë e kishin lëshuar sallën.
Për projektligjin për KPM-në, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, ka thënë se ka pasur shumë komente dhe janë analizuar me seriozitet.
“Në fund kanë rezultuar me 93 amandamente që e ndryshojnë edhe në përmbajtje këtë projektligj”, ka shtuar ai.
Deputeti Dimal Basha dhe Eman Rrahmani kanë abstenuar.
Projektligji për Këshillin e Pavarur të Mediave është përcjell me kritika nga opozita, organizata joqeveritare dhe nga bashkësia ndërkombëtare.