Gjinia femërore, jo rrallë është përballur me sfida të natyrave të ndryshme kurdo që kanë kërkuar të përparojnë në karrierën e tyre apo të veprojnë në një fushë më të madhe socio-ekonomike dhe politike të shoqërisë tonë, ende patriarkale, në mendje dhe në thelb.
Duke votuar për ato, kësaj here për kuvendet komunale, sigurohet që gratë të paktën të jenë zë për gratë, e po në të njëjtën kohë krijohet mundësia për ngritjen e zërit të tyre ndaj shqetësimeve të përditshme të të gjithë neve, shtyerjen përpara objektivave të reja që e pozicionojnë femrën më mirë qoftë në jetën publike institucionale, ashtu në familje, dhe marrja e vendimeve përmes votës së tyre në po të njëjtat kuvende anekënd komunave të Republikës, do t’a bëjë diferencën e së tashmës dhe të ardhmës.
Andaj, përmes votës tënde, qytetarë të Republikës së Kosovës, më 17 Tetor, 2021 shfaqe vullnetin, e trego dëshirën për përfshirje të tyre sa më tepër në vendim-marrje.
Gjinia femërore, edhe për shkak të rrethanave të shpeshta kanë ngurruar të kërkojnë zë, dhe vend, në vendim-marrje.
Vetëdijësimi sjell emancipim, e emancipimi sjell ndryshim e edhe zhvillim, pra, nënat, motrat e gratë tona, janë edhe gjysma e jonë, andaj, mbështesni e votojini tani ato.
Gjinia femërore, sot, kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm në çdo pore të jetës, dhe në vend se t’i shikojnë paratë apo pozicionin, siç, zakonisht e bëjnë burrat si shënuesit kryesorë të ‘suksesit’, gratë kanë prirje që t’i japin vlerë të lartë cilësisë së jetës në familje dhe kontributeve të tyre, duke prioritizuar të jenë të dobishme më shumë se sa të rëndësishme. Kështu që, nënat, motrat e gratë tona të cilat i gjejmë në listat e secilës parti, votojini ato.
Nënat, motrat e gratë tona munden dhe dinë të mbajnë familjen, e po aq, duan dhe munden të bëjnë për shoqërinë dhe shtetin. Madje edhe historia është dëshmitare, kujto burrat e dalluar të kombit nga jeta politike e kulturore, qysh në Nëntor 1908, në kongresin e Manastirit zgjodhi një grua, zonjën Parashqevi Qiriazi, në cilësi të sekretare e kongresit. Ajo, më pas, shkroi himnin e alfabetit shqip dhe botoi abetaren me po atë alfabet. Kur shumë kombe gjithandej nëpër botë, nuk u’a njihnin madje as të drejtën e votës gjinisë femërore në vendet e tyre, qysh atëherë, ne, treguam pjekuri, fuqizuam gruan.
Unë po, edhe ti, por edhe ata, ne së bashku, meqë i konsiderojmë nënat, motrat e gratë tona, shtylla të shtëpisë, përmes votës për to, pse mos t’i zgjedhim edhe shtylla të shoqërisë dhe të shtetit tonë.
Ato, votoji!
(Autori është njohës i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare)