Vozitësi kosovar godet gjashtë persona me veturë në Berlin

Prishtinë | 27 Kor 2020 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Personi që kishte goditur me veturë të dielën në mëngjes gjashtë persona në Berlin, duke i lënduar ata, është nga Kosova, njofton “Berliner Zeitung”.

Mësohet se 24-vjeçari Refail A., ishte nën ndikim të alkoolit. Në gjakun e tij janë gjetur 0.7 promile.

Zëdhënësi i Policisë së Berlinit, Martin Helweg, ka treguar se 24-vjeçari, që ka leje qëndrim gjerman ishte me veturë me targa të Estonisë.

Incidenti ka ndodhur në stacionin e metros “Banhof Zoo”, pak para orës 7 të mëngjesit të dielën.

Disa nga kalimtarët ishin goditur nga vetura Mercedes SUV që po drejtonte kosovari 24-vjeçar, duke marrë lëndime serioze, ku erdhi edhe helikopteri i shpëtimit. Një nga të lënduarit ishte përfundi veturës. Raportohet se tre nga të lënduarit ishin të pastrehë. Shoferi është arrestuar në vendin e ngjarjes. Është mësuar se pas shkaktimit të aksidentit kosovari kishte kërkuar falje disa herë.

Dëshmitarët kanë thënë se ai ishte duke vozitur me shpejtësi të madhe. Kosovari është liruar me procedurë të rregullt dhe nuk po hetohet për tentim vrasje.

Të ngjashme