Veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-forcës Kundër Korrupsionit dhe shkarkimin e Rashit Qalajt nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës, nga drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, shihen si arbitrare dhe të papranueshme. Ai ka folur për performancën e Qalajt, por edhe të kësaj njësie viteve të fundit, për sabotimin që institucionet e tjera të hetuesisë ia kanë bërë kësaj njësie, për luftën e brendshme në Policinë e Kosovës, e për luftën e politikanëve me këtë polici.
KD: Ditë më parë, Qeveria e ka shuar Taskforcën Kundër Korrupsion, duke u thirrur në jokushtetutshmërinë e vendimit të themelimit. Si e keni vlerësuar ju këtë vendim?
Vrajolli: Ndonëse fushëveprimi ynë si organizatë ka qenë te qeverisja e mirë në sektorin e sigurisë dhe nuk e kemi mbuluar në mënyrë konsistente sektorin e drejtësisë, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e këtij të fundit nuk është vështirë për të konkluduar që vendimi i Qeverisë për shuarjen e kësaj task-force dhe forma e marrjes së tij ka qenë i papranueshëm dhe skajshmërisht arbitrar. E tëra kjo u përmbyll me një arsyetim të dhënë gojarisht se “Task-forca është antikushtetuese”. Ndonëse mu nd të supozojmë se juridikisht Qeveria ka bazë, megjithatë deri më tani asnjëherë nuk di të jetë raportuar se është kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ndonjë opinion në lidhje me kushtetutshmërinë e këtij mekanizmi. Asnjëra qeveri deri më tani nuk kishte kontestuar ligjshmërinë e këtij mekanizmi, përfshirë këtu as nga Qeveria Mustafa 2014-2017, e cila udhëhiqej nga e njëjta parti politike sikurse kjo aktualja. Përveç kësaj, gjatë gjithë kësaj kohe, kjo task-forcë ishte cilësuar si kyç për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Po ashtu, ishte meritore për të gjitha vlerësimet sado të pakta që Kosova ka marrë nga raporte të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe Raportin e Progresit në luftimin e korrupsionit të këtij niveli në vend. Andaj, shuarja e këtij mekanizmi në këtë mënyrë kaq të heshtur e gjakftohtë është sa absurde aq frikësuese për kahen që sundimi i ligjit në vend po merr.
KD: Për 10 vjet punë, cili është vlerësimi për këtë institucion?
Vrajolli: Ndonëse Kosova ka pasur progres të kufizuar sa i përket luftimit të korrupsionit, me një trend negativ përgjatë viteve të fundit, shkaktari i gjendjes ekzistuese nuk ndërlidhet me konfigurimin e mekanizmave. Pra, ekzistimi i Task-forcës kundër korrupsionit nuk ka qenë pengesë për luftimin e korrupsionit në vend. Përkundrazi, në parim ka ofruar një platformë të dobishme brenda së cilës do të mund të koordinoheshin në mënyrë të kënaqshme ndërveprimet e institucioneve përgjegjëse në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit të këtij niveli. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur. Arsyeja kryesore për një gjë të tillë ndërlidhet me ndërhyrjen e politikës drejtpërsëdrejti në institucionet përgjegjëse të sundimit të ligjit. Si rrjedhojë, puna e kësaj task-force duket se në vazhdimësi është sabotuar, qoftë nëpërmjet individëve të instrumentalizuar të instaluar brenda kësaj task-force, qoftë nëpërmjet përfaqësuesve të institucioneve prej nga pjesëtarët e kësaj task-force vijnë.
KD: Disa raporte të organizatave ndërkombëtare e kanë konsideruar këtë hallkë si kyç në luftimin e korrupsionit. Si mund të lexohet nga ndërkombëtarët shuarja e saj?
Vrajolli: Siç e përmenda, sukseset e Kosovës në luftimin e korrupsionit nuk janë aspak për t’u krenuar. Andaj, edhe rezultatet e kësaj task-force mund të thuhet se kanë qenë mjaft të kufizuara: gjithsesi, kjo ngecje në asnjë mënyrë nuk mund t’i atribuohet ekzistencës së kësaj task-force. Përkundrazi, ngecjet në luftim të korrupsionit duhet t’i atribuohen enkas ndërhyrjes së politikës në funksionimin e institucioneve të gjyqësorit dhe sundimit të ligjit nëpërmjet emërimeve politike në krye të këtyre institucioneve. Kjo për fat të keq u ka hapur rrugë elementeve korruptuese, më konkretisht strukturat parapolitike janë instaluar në pozicione kyç ku do të duhej bërë luftimi i korrupsionit, duke kontrolluar dhe në instanca të caktuara duke e bërë të pamundur parandalimin, luftimin dhe çrrënjosjen e korrupsionit të profilit të lartë.