Dy persona të moshave 43 dhe 46 vjeç janë arrestuar për vrasjen e një 68-vjeçari shqiptar në Greqi, i cili punonte si roje në një kompani në periferi të Athinës.
Ngjarja ka ndodhur Qershorin e kaluar, ndërsa sot policia greke ka vënë në pranga dy të dyshuarit. 68-vjeçari ishte gjetur i vdekur mëngjesin e 17 Qershorit.
Vajza e viktimës, në dëshminë që kishte dhënë në polici, ishte shprehur se i ati e kishte telefonuar në orën 02:40 të mëngjesit dhe i kishte thënë se ishte përballur me disa grabitës. Kur vajza shkoi në vendin e punës së të atit, e gjeti të rrahur dhe të lidhur.
Ai u dërgua në spital, por mjekët konstatuan se kishte humbur jetën. Vdekja e 68-vjeçarit shqiptar ishte shkaktuar nga goditjet në kokë, kraharor dhe në krahun e djathtë. Njëri nga autorët e dyshuar raportohet se kishte punuar në të njëjtën kompani si shqiptari. Sipas “Kathimerini”, ai pretendonte se kompania i kishte disa para borxh dhe për këtë arsye do të vidhte pajisjet. Por grabitësit u përballën me rojen shqiptar, të cilin e sulmuan, e lidhën dhe e rrahën duke i shkaktuar vdekjen.
Autorët janë persona me precedent penal dhe të njohur për autoritetet greke. Më parë kanë qenë të arrestuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, grabitje, vjedhje, trafik droge e armëmbajtje pa leje. /tvklan.al