Një gjykatë në Bruksel i gjykoi në mungesë dhe i shpalli fajtorë tre serbë për vrasjen e veprimtarit shqiptar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri, 26 vjet më parë.
Gjykata shpalli fajtorë dhe i dënoi me burgim të përjetshëm, Bozhidar Spasiqin, ish shef i operacioneve të posaçme të policisë sekrete jugosllave të njohur si UDB, dhe dy njerëz të nëntokës serbe, Andrija Drashkoviq dhe Veselin Vukotiq.
Zoti Hadri ishte vrarë më 15 shkurt të vitit 1990 në Bruksel, kur nga një makinë ishte hapur zjarr kundër tij. Atëbotë u tha se vrasja ishte politike dhe ishte porositur nga shërbimi i fshehtë jugosllav, UDB-a, e cila drejtohej nga serbët që përbënin shumicën e agjentëve të saj.
Enver Hadri ishte kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Emigrant politik që nga fillimi i viteve të 70-ta, ai kishte grumbulluar dokumente që dëshmonin dhunën e pushtetit serb në Kosovë dhe kjo e kishte bërë të njohur në qarqet politike e diplomatike në Bruksel.
Dy të dyshuar të tjerë për pjesëmarrje në vrasjen e tij, Andrija Lakoniq dhe Darko Ashanin, ishin vrarë në Serbi gjatë viteve të 90-ta.
Bozhidar Spasiq, që besohet të ketë organizuar vrasjen e zotit Hadri, ishte pjesë e UDB-së që nga 1979 e deri më 1993. Ai kishte shkruar edhe libra mbi punën e tij prej agjenti duke folur hapur për veprimet e tij kundër siç thotë ‘terroristëve shqiptarë”.
Andrija Drashkoviq, i njohur për përfshirje në vrasje dhe veprime kriminale në Serbi dhe më gjerë ishte dënuar më 2010 në Beograd me 10 vjet heqje lirie për një vrasje por ishte liruar tre vjet më pas.
Në qershor të vitit 2015 ai u arrestua në qytetin e Splitit në Kroaci dhe u la më pas i lirë nën dorëzani. Ai u arratis më pas në Serbi.
Veselin Vukotiq, për të cilin thuhet se mund të ketë ofruar informacione që mund të kenë zbuluar përfshirjen e njeriut të njohur të nëntokës serbe, Andrija Drashkoviq në vrasjen e Enver Hadrit, ishte arrestuar më 2006 në Madrid pas një arratisjeje 16 vjeçare, Më 2008 u ishte dorëzuar autoriteteve belge të cilat më pas e kishin dorëzuar në Serbi, ku ishte dënuar për një veprim kriminal, për t’u lënë i lirë, besohet në shkëmbim të bashkëpunimit në luftën kundër nëntokës serbe dhe malazeze.
Mediet serb cituan Bizhidar Sapasiçin të ketë thënë se nuk ka njohuri të jetë bërë ndonjë gjyq kundër tij dhe të njëjtën e ka pohuar edhe avokati i Andrija Drashkoviqit.
Vrasja e Enver Hadrit ishte vlerësuar si një nga pesë vrasjet më zulmëmëdha politike të kryera nga shërbimi sekret jugosllav.