Vrasja e 58 vjeçarit në Dumnicë – Prokuroria jep detaje

Prishtinë | 27 Mar 2023 | 10:51 | Nga Ekonomia Online

Një burrë 58 vjeçar është vrarë të dielën në afërsi të shtëpisë së tij në fshatin Dumnicë të Podujevës. Për rastin për Insajderin ka folur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Jemi duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit, tha zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është kualifikuar “Vrasje”, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë intensive, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij akti dhe identifikimit të personave të përfshirë në këtë rast”, deklaroi Ulaj për Insajderin.

“Mosha e viktimës është 58 vjeç, derisa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për t’iu nënshtruar obduksionit”, tha ajo.

Për rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës.

“VRASJE/Fsh. Dumnicë e Epërme, Podujevë 26.03.2023 – 18:08. Një mashkull kosovar është gjetur i vdekur në afërsi të shtëpisë së tij. Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes përveç njësive relevante policore ka dalë edhe prokurori, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në obduksion. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti në hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Të ngjashme