Vrasja e 9-vjeçarit në Fushë Kosovë, intervistohen dy prokurorët që e kishin rastin në dorë

Prishtinë | 14 Nën 2019 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Dy prokurorë  janë vënë në llupën e organeve të hetuesisë kosovare me arsyetimin se të njëjtit mund të kenë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare. Bëhet fjalë për neglizhencë në punë për një rast ku një fëmijë 9-vjeçar, K.Veseli nga Fushë Kosova ka vdekur. Prokurorët që po hetohen janë Ruhan Salihu e Raze Loshaj. Këshilli Prokurorial i Kosovës tashmë i ka intervistuar këta dy prokurorë rreth këtij rasti. Vendimi për lëndën pritet të merret së shpejti

Në korrikun e këtij viti në mënyrë të rëndë u vra K.Veseli 9-vjeçar nga komuna e Fushës Kosovës. Vrasja e të miturit u konsiderua si ndër më të rëndat që kanë ndodhur në Kosovë. Ai dyshohet se u dhunua, e pastaj u godit me mjete të forta nga një 19-vjeçar, po ashtu nga Fushë Kosova.

Por, para se të vritej, 9-vjeçari, ishte dhunuar seksualisht tri herë nga i dyshuari për vrasje. Në dy rastet e dhunimit, Veseli bashkë me nënën t tij, Makfiren, rastin e kishin raportuar në polici. Por asgjë nuk ishte bërë për dhunuesin (S.Osmani 19-vjecar i cili tashmë gjendet në burg).

Policia ishte mjaftuar me një kallëzim penal ndaj 19-vjeçarit i cili ishte ngritur në prillin e këtij viti. Por, viktima, K.Veseli 9-vjeçar, u vra pikërisht nga Osmani ndaj të cilit ishte ngritur kallëzim por që po shëtitej i lirë në Fushë Kosovë.

Duke i parë të gjitha këto rrethana, hetime për rastin se si është trajtuar nga ana e institucioneve hetimore, përveç Inspektoratit Policor, tashmë ka nisur edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, shkruan Express.

Për këtë rast, sipas burimeve, po hetohen dy prokurorë. Bëhet fjalë për prokurorin Ruhan Salihu e prokuroren Raze Loshaj.  Të dy këta janë duke u hetuar për veprimet që i kanë ndërmarrë për këtë rast.

 Janë pesë prokurorë të Kosovës të cilët po mbledhin fakte rreth mënyrës se si Loshaj e Salihu janë marrë me rastin.

Këta dy prokurorë gjatë kësaj jave intervistuar në zyrat e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Ata janë intervistuar gjatë ditës së hënë për këtë rast”, i ka thënë gazetës një burim brenda prokurorisë.

 Ndërkohë, zyrtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, në një përgjigje, janë deklaruar se po i vazhdojnë hetimet për këtë rast.

“Lidhur me pyetjet me lartë ju informojmë se kjo çështje është në procedurë e sipër dhe është duke u zhvilluar në përputhje me Rregulloren për procedurën disiplinore të Prokurorëve dhe së shpejti pritet të dalë në Këshill dhe të vendoset për të”, thuhet në përgjigje.

E ndërkohë, Gazeta i ka kontaktuar të dy prokurorët, Saliun e Loshajn. Por asnjëri nga ta nuk kanë dashur që të prononcohen edhe pse janë pyetur për rastin.

Hetime për këtë rast përveç Inspektoratit Policor e Këshillit Prokurorial ka nisur edhe zyra e Avokatit të Popullit.

 “Inspektorati Policor i Kosovës me të pranuar informacionin lidhur me rastin e vdekjes së dyshimtë të të miturit nga Fushë Kosova, menjëherë ka filluar grumbullimin, shqyrtimin dhe verifikimin e informacioneve lidhur me këtë rast. Varësisht nga gjetjet, IPK-ja do të ndërmarrë veprime bazuar në mandatin e saj”, kanë deklaruar kohë më parë, zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës.

K.V., i mituri nga Fushë Kosova, u gjet i vrarë para një banese më 11 korrik. Sipas familjes së tij, ai ishte dhunuar vazhdimisht nga S.O., i dyshuar që po mbahet në paraburgim nën dyshimin se ka kryer veprën penale: vrasje e rëndë


Të ngjashme