Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet N.Z. ka marrë vendim për fillimin e hetimeve dhe ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë. Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 16 mars 2026, rreth orës 05:20, […]
Vrasja e djeshme në Gjakovë, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet N.Z. ka marrë vendim për fillimin e hetimeve dhe ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 16 mars 2026, rreth orës 05:20, në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, në lokalin “M.P.”.
“Me datë 16.03.2026 në ora 05:20 në Gjakovë, Rr.“Vëllezërit Frashëri”, i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E.M., dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes. Në lokalin e lartcekur, pas një mosmarrëveshje, i pandehuri ka shtënë disa herë me armën – pistoletë e llojit TT me kalibër 7.62×25 mm – në drejtim të R.B., i cili ka ndërruar jetë në afërsi të vendit të ngjarjes,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria bën të ditur se, përveç viktimës së vrarë, i dëmtuari E.M. ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa i pandehuri ka ikur nga vendi i ngjarjes.
I pandehuri ngarkohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 të KPRK-së dhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.
Që nga data e ngjarjes, i pandehuri gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, sipas vendimit të Prokurorit të Shtetit.











