Vrasja e Donjeta Pajazitajt, ky është arsyetimi i Gjykatës Supreme për lirimin e Naser Pajazitajt

Prishtinë | 02 Maj 2023 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Naser Pajazitajn, i  cili ishte i dyshuari i vetëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në prill të këtij viti Gjykata Supreme e ka liruar nga akuza.

Të pandehurit Gjykata e Apelit ia ishte zbritur dënimin nga burgim i përjetshëm në dënim me 35  vjet burgim.

E kundër këtij vendimi të Apelit ekipi mbrojtës i Naser Pajazitajt me anë të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë lëndën e kishte dërguar në Gjykatën Supreme.

Kjo e fundit me anë të aktgjykimit kishte vendosur që Naser Pajazitajn ta lirojë nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Kurse për dy vepra penale – posedim i paautorizuar i armëve – dënimi prej 1 viti dhe dënimi prej 5 muajve është vërtetuar dhe është caktuar dënimi unik në kohëzgjatje prej  prej 1 viti e tre muajve, dënim për të cilin Naser Pajazitajt do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Sipas Gjykatës Supreme, aktgjykimi i  shkallës së parë ishte përfshirë në shkelje të Ligjit penal e të njëjtat shkelje nuk ishin mënjanuar nga gjykata e shkallës së dytë.

“Nga të gjitha këto, Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë në shkelje të ligjit penal dhe të cilat shkelje nuk janë mënjanuar nga ana e gjykatës së shkallës së dytë, e cila vendosi sipas mjetit të rregullt juridik dhe për këtë arsye u vendos që konform nenit 438 par.1 nënpar.1.1 të KPP-së, aktgjykimet e kundërshtuara të ndryshohen si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”- thuhet në vendimin e Supremes.

Në aktgjykimin e saj, Supremja tha se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të vërtetojë nëse kryerësi i veprës penale është Naser Pajazitaj pasi që në këtë çështje nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta por ka pasur prova rrethanore.

“Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se nga provat e administruara nga ana e gjykatës së parë nuk është vërtetuar se autori i veprës penale ishte i pandehuri dhe siç është theksuar në këtë çështje penale nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta, por skema e ngjarjes është ndërtuar duke u bazuar në prova rrethanore duke u ndërlidhur hallkat e zinxhirit të ngjarjes. Për këtë arsye është e rëndësishme të theksohet fakti se për gjykimin e një rasti bazuar në prova rrethanore gjithmonë është i nevojshëm standardi i vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe i cili përmbushet vetëm atëherë kur përfundimi i nxjerrë nga këto prova është i vetmi përfundim i arsyeshëm që mund të nxirret prej provave të paraqitura”- thuhet tutje në vendimin e Supremes.

Gjithnjë sipas aktgjykimit të Supremes, gjykimi ndaj Naser Pajazitajt ka kaluar afatet kohore të përcaktuara me Kodin e procedurës penale.

“Kjo çështje penale ka filluar prej datës 24.12.2015 (aktvendimi për fillim të hetimit), përkatësisht datës 08.06.2017 (kur është paraqitur aktakuza), dhe janë marrë katër aktgjykime nga gjykatat e shkallës së parë dhe po aq nga ana e gjykatës së shkallës së dytë dhe gjithashtu edhe një aktgjykim i Gjykatës Supreme të Kosovës, që del se në këtë çështje penale janë marrë nëntë aktgjykime, dhe kur kësaj i shtohet fakti se janë marrë edhe vendime të ndryshme, del se janë tejkaluar standardet kohore të përcaktuar me KPP-së”- thuhet tutje në vendimin e Supremes.

Kurse sa u përket pretendimeve të ekipit mbrojtës të Naser Pajazitajt se në këtë çështje penale ka pasur shkelje esenciale të Kodit të procedurës penale, Supremja ka hedhur poshtë një pretendim të tillë.

“Edhe pse mbrojtësi në kërkesë pretendon se aktgjykimet e kundërshtuara përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, kjo gjykatë vlerëson se në rastin konkret nuk ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, por se bazuar në provat e administruara në ketë çështje gabimisht është zbatuar ligji penal kur i dënuari është shpallur fajtor për veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.12 të KPRK-së”- thuhet në vendim.

Gjithnjë sipas Gjykatës Supreme provat e administruara janë interpretuar në mënyrë të gabueshme duke nxjerrë konkludime të gabueshme e kështu duke shkuar në dëm të të dënuarit.

“Pra, provat e administruara janë interpretuar në mënyrë të gabueshme dhe janë nxjerrë konkludime të gabuara, dhe atë në dëm të të dënuarit, andaj, kjo rrjedhimisht e bën të mundur ndryshimin e aktgjykimeve të dy instancave më të ulëta gjyqësore duke e vendosur këtë çështje në mënyrë meritore” – thuhet në vazhdim në vendimin e Supremes.

Gjykata Supreme tha se Themelorja nuk kishte marrë për bazë vendin ku ishte gjetur trupi i pajetë i viktimës, duke marrë për bazë gjendjen shëndetësorë të kryerësit të veprës penale e që i njëjti rezultonte kishte probleme në të ecur (duke u bazuar në shkresat e lëndës).

“Në vijim të këtij aktgjykimi Gjykata Supreme e Kosovës do të paraqet disa mospajtime me të gjeturat e gjykatës së shkallës së parë, përkitazi me vendin e gjetjes së trupit të të ndjerës.  …del se trupi i të ndjerës ishte gjetur me datë 17.12.2015 në vendin e quajtur “K. i L.” dhe se në këtë raport ishte theksuar fakti se nga vendi ku ishte gjetur trupi i pajetë i të ndjerës është në largësi prej 80 metra larg nga pika e degëzimit të kësaj rruge aty pranë rrugës është një rrugë tjetër e cila ka pjerrtësi mesatare e që shpie në pyll në drejtim të lindjes duke vazhduar nëpër këtë rrugë rreth 20 metra larg në krahun e djathtë shihet trupi i pajetë. Megjithëkëtë, gjykata e shkallës së parë këtë raport për vendin ku u gjet trupi i të ndjerës nuk e merr fare parasysh dhe me këtë i anashkalon edhe disa rrethana të rëndësishme për kryesin e kësaj vepre penale, në rend të parë se si arriti i pandehuri që prej automjetit të tij ta dërgon të ndjerën në vendin ku ishte gjetur trupi i saj. Kjo gjithsesi është e rëndësishme duke e ndërlidhur edhe me gjendjen fizike të të pandehurit që nga shkresat e lëndës del se kishte vështirësi në të ecur…”- thuhet në vendimin e Supremes.

Sipas aktakuzës së vitit 2017, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalur me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar tek vendi ‘Kroi i Lajthisë’.

Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri e kishte qëlluar viktimën me dy plumba në kokë dhe pastaj për të humbur gjurmët e viktimës  trupin e saj e kishte mbuluar me drurë dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Por, për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave në vitin 2018 e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Të ngjashme