As pas 74 ditësh, organet e hetuesisë nuk kanë arritur që t’i bien në gjurmë të dyshuarit për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Repë të Podujevës. Vrasja dyshohet se është kryer shkaku i një toke.
Një vrasje e dyfishtë kishte ndodhur në korrik të këtij viti në fshatin Repë të Podujevës. Dy vëllezërit e familjes Abazi mbetën të vdekur, shkaku i një toke.
I dyshuari për këtë rast është fqinji i tyre 65-vjeçar, i cili pretendonte mbi pronësinë e tokës, ashtu sikurse edhe viktimat.
Por, ndonëse po bëhen tre muaj nga dita kur ndodhi kjo ngjarje tragjike, i dyshuari për vrasje gjendet ende në liri.
Se i dyshuari për këtë rast gjendet akoma në arrati e ka konfirmuar për Gazetën Express prokurori i rastit, Armend Hamiti.
Hamiti i ka se tashmë kanë lëshuar urdhëarrest për të, derisa ka thënë se nuk e dijnë nëse ai ndodhet në Kosovë apo jashtë vendit.
“Zyrtarisht ai është në arrati, por ku nuk kemi informacione se a jashtë a brenda, por kemi lëshu urdhërarrest dhe i njejti është në kërkim”, ka thënë Hamiti për Express.
Ndryshe, vrasja dyshohet të ketë ndodhur shkaku i një tokë, për të cilën të dy palët pretendonin mbi pronësinë e saj.
Policia kishte konfiskuar katër gëzhoja dhe dy vetura në vendin e ngjarjes, derisa pas bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit ishte gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47, një pistoletë me gas dhe një pushkë gjuetie.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore ku janë gjetë dhe konfiskuar katër gëzhoja dhe dy vetura.Njësit policore kanë kryer bastisjen në shtëpinë e të dyshuarit ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47, një pistoletë me gas dhe një pushkë gjuetie. Me vendim të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar për obduksion”, kishte njoftuar Policia.