Vrasja e dyfishtë në Deçan, babë e bir dënohet me 43 vjet burgim

Prishtinë | 28 Tet 2022 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Durim e Sali Lushajt, për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit, duke i dënuar me dënim unik prej 43 vitesh burgim. Durim Lushaj akuzohej se më 25 gusht 2016, në fshatin Shaptej të Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.R. Kurse, pas kësaj, ngarkohet se bashkë me babanë e tij, Sali Lushaj kanë vrarë tani të ndjerin B.R, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve, u shpall të premten nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova.Sipas aktgjykimit, Durim Lushaj për veprën penale “Vrasje e rëndë” dënohet me 24 vite burgim, kurse për veprën e dytë armëmbajtje pa leje, dënohet me dy vite burgim. Të njëjtit, gjykata i shpalli dënim unik prej 25 vitesh burgim.

Kurse, Salih Lushaj për veprën penale “Vrasje e rëndë” u dënua me 17 vite burigm, kurse për armëmbajtje pa leje, dënohet me dy vite burgim. Të njëjtit, iu shpall dënim unik me 18 vite burgim. Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil.

Gjykatësja Husaj-Rugova njoftoi se të akuzuarve, iu vazhdohet masa e paraburgimit pas shpalljes së aktgjykimit.

Kjo lëndë penale ka qenë duke u përfaqësuar nga ish-prokurori i pensionuar Haxhi Sinanaj, ndërsa më pas ka kaluar tek prokurori Agron Galani, ku ky i fundit ishte tërhequr nga përfaqësimi pasi i dëmtuari e kishte cilësuar prokurorin si jo objektiv në trajtimin e rastit.

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë, më 14 prill 2018, e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 vite burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohej se më 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta R.R.Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta R.R, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e B.R, po ashtu me armë zjarri.

Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe G.R e M.R.Që të dy, akuzoheshin nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

Të ngjashme