Vrasja e dyfishtë në Livoç të Ulët, ende nuk dihen motivet e ngjarjes

Prishtinë | 09 Tet 2026 | 20:43 | Nga Ekonomia Online

Një burrë dhe një grua kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur rëndë, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka bërë të ditur se policia është njoftuar për rastin rreth orës 14:25, pas raportimit për të shtëna me armë zjarri.

“Policia e Kosovës sot rreth orës 14:25 minuta e ka pranuar informatën se në fshatin Livoç i Ulët, komuna Gjilan, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Njësitë policore me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se aty ka ndodhur një rast i rëndë që na ka tronditur të gjithëve. Në fakt bëhet fjalë për një vrasje të dyfishtë dhe një plagosje”, ka deklaruar Hashani.

Ai ka bërë të ditur se personi i plagosur fillimisht është dërguar në Qendrën Emergjente në Gjilan, por për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

“Për momentin nuk dihen motivet e këtij rasti të rëndë. Njësitë të gjitha, domethënë, edhe forenzika, edhe hetuesit rajonalë, edhe dy prokurorë të shtetit, drejtori i Policisë Rajonale kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe me përkushtimin më të madh jemi duke i hetuar të gjitha rrethanat e këtij rasti të rëndë”, ka thënë ai.

Hashani ka njoftuar gjithashtu se i dyshuari është dorëzuar në stacionin policor në Gjilan, ndërsa hetuesit kanë nisur procedurat e intervistimit në përputhje me ligjin dhe në prani të avokatit mbrojtës.

“Nuk kam informatë të saktë pas sa kohe, por në një kohë shumë të shpejtë i dyshuari është dorëzuar në stacionin policor në Gjilan, e pastaj hetuesit rajonalë kanë filluar procedurat intervistuese në bazë të ligjit, në prani të avokatit mbrojtës”, ka deklaruar Hashani.

Motivi i kësaj ngjarjeje ende nuk dihet, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

Të ngjashme