Hetuesit në Maltë besojnë se dy nga “kriminelët më të rrezikshëm të Maltës” mund të kenë përdorur kontaktet e tyre në nëntokën shqiptare për të blerë një pjesë të bombës të përdorur për të vrarë gazetaren Daphne Caruana Galizia.
Dy burime të përfshira në hetim kanë thënë për The Sunday Times të Maltës se pjesë të pajisjes shpërthyese të përdorur për të vrarë gazetaren në tetor të 2017-s, ishin “thuajse identike” me atë të përdorur në një shpërthim të mëparshëm me bombë makine në shkurt 2017, ku mbeti i plagosur Romeo Bone.
Burimet thanë që pajisja e përdorur në sulmet ndaj Bone-s dhe Caruana Galizia ishin porositur nga dy vëllezër, të cilët njihen mirë në nëntokën kriminale maltese, Alfred dhe George Degiorgio, shkruan Top Channel.
Ka informacione se vëllezërit kanë kontakte me krimin e organizuar në Shqipëri, dhe policia po hulumton mundësinë se ky është burimi i makinës bombë.
Ishte një hetim italian që zbuloi shtrirjen e lidhjes së të dyshuarve me botën e krimit shqiptar.
Daphne Caruana Galizia, 53 vjeç, e cila hapi një blog ku denonconte rastet e korrupsionit në vend, u vra më 16 tetor 2017 nga një shpërthim me eksploziv në makinë.