Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murselit dhe dy të dyshuarve tjerë u vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Prishtinë | 27 Dhj 2024 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M., G.P., dhe K.K., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 20.12.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve N.M., G.P., dhe K.K., iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj për secilin, e cila masë iu llogaritet nga data 24.12.2024 deri më datë 23.02.2025”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D.

Të ngjashme