Dëshmitari Rron Aliu, zyrtar policor, tha se të akuzuarin Fatlum Mehmeti, pas ngjarjes kritike e kishte parë të ulur me armë në dorë, e më pas kishte filluar të bërtiste dhe godiste veten.
“Në ato momente përderisa ishte ulur Fatlumi, e kam parë duke e mbajtur armën në dorë dhe më pas duke bërtit Fatlumi ka filluar ta godas veten”, tha dëshmitari Aliu.
Në këtë rast, Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H., në një ndejë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së në Zllatar, në shkurt të vitit të kaluar.
Dëshmitari Aliu paraprakisht tha se tani i ndjeri L.H në momentet e ngjarjes kritike ishte nisur në drejtim të tij dhe më pas kishte rënë në tokë.
Në ato momente jam kthy nga ana e majtë e imja dhe e kam pa L.H., i cili është ngritur në këmbë dhe ka ardhë në drejtimin tim duke i bërë dy ose tri hapa dhe aty ka rënë në tokë”, tha dëshmitari Aliu.
Viktimën, dëshmitari tha se e njihte që kur kishe filluar të punonte polic nga tetori i vitit 2021, kurse me të akuzuarin Mehmeti ai tha se kishte pasur raporte më të afërta 3 muaj më vonë pasi që kishte kaluar në ndërrim me të.
Dëshmitari Aliu tha se kishte ndodhur që shpeshherë të konsultoheshin me të akuzuarin Mehmeti lidhur me punën, pasi kishte qenë polic më me përvojë.
“Po shpeshherë ka ndodhë sepse ka qenë polic më i vjetër se na, ka pas përvojë dhe ka qenë njëri ndër policët ma të mirë në ndërrim”, deklaroi Aliu.
Ndër të tjera, dëshmitari tha se ditën kritike kur kishin shkuar në vilën në Zllatar, i akuzuari Mehmeti kishte arritur pas tyre.
“Po, më kujtohet Fatlumi u ardhë pas nesh përafërsisht muj me thanë 20 minuta, nuk e di saktë, përafërsisht 20-30 minuta ma saktë nuk muj me thanë”, shtoi ai.
Sipas tij, ai kishte qëndruar së bashku atë ditë edhe me tani të ndjerin L.H., dhe me të akuzuarin Mehmeti, duke shtuar se ky i fundi kishte qenë në gjendje të mirë.
Po ashtu, dëshmitari Aliu tha se para momentit të shkrepjes së armës, ai kishte qenë i ulur në kolltuk me të akuzuarin Mehmeti dhe L.H, duke shtuar se para momentit atmosfera kishte qenë e mirë.
“Unë kam qenë i ulur në kolltuk me Fatlum Mehmetin, të cilin e kam pas në anën e djathtë timen dhe të ndjerin L.H., të cilin e kam pas në anën e majtë. Në atë moment, fillimisht kam qenë vetëm me Fatlumin, kurse më pas ka ardhë edhe i ndjeri L.H”, u shpreh Aliu.
Po ashtu, tha se ai më pas ishte ngritur në këmbë dhe se shkrepja e armës kishte ndodhur disa sekonda pasi që ai kishte qëndruar në këmbë.
Distanca e tij me të akuzuarin Mehmeti dhe tani të ndjerin L.H., thotë se kishte qenë diku rreth 2 ose 2.5 metra, por që mund të ishte distancë edhe më e vogël.
Gjithashtu, dëshmitari Aliu tha se i akuzuari Mehmeti iu kishte ndihmuar në punë, pasi që kishte ditur ligjet e trafikut. Tha se Mehmetin pa uniformë e kishte parë vetëm ditën kritike dhe se për aq kohë sa kishin ndenjur bashkë, asnjëherë nuk i kishte shkrepur arma pa dashje.
Sipas tij, nuk kishte asnjë rrezik apo faktorë të jashtëm që si zyrtarë policorë ta nxjerrin armën për çdo eventualitet në ato momente. Tha se nuk e di pse aty ishte vrarë L.H., por që sipas tij është vrarë nga pakujdesia.
Dëshmitari Aliu tha se atë ditë aty kishte qenë edhe Xhafer Berisha- kolegë i tyre. Më pas, dëshmitarit iu paraqit një foto, ku i akuzuari Mehmeti dhe zyrtari policor Berisha i kishin drejtuar armën në kokë njëri-tjetrit.
Dëshmitari tha se një veprim i tillë nuk është i lejuar as në Akademi e as gjatë punës.
Në anën tjetër, dëshmitari Aliu tha se me L.H, ka pasur raporte të mira, duke shtuar se asnjëherë nuk kishte deklaruar se kishte pasur ndonjë problem apo acarim me të akuzuarin Mehmeti.
Aliu tha se është në dijeni se në vendin e ngjarjes janë përdorur armë të tjera nga persona të tjerë që ishin të pranishëm, duke shtuar se momenti kritik kishte ndodhur brenda vilës dhe se atë moment e kishte dëgjuar vetëm një të shtënë.
Gjithashtu, Aliu shtoi se në atë ditë në vilë kishin konsumuar alkool.
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Aliu dhe përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme përfundoi për të vazhduar në shtator të këtij viti.
Në fund, në këtë seancë u refuzua edhe propozimi i mbrojtësit të të akuzuarit Mehmeti, avokatit Veton Robaj për zëvendësimin e masës së paraburgimit me një masë tjetër, raporton betimiperdrejtesi.