Në cilësinë e dëshmitarit, vëllau i të ndjerit M.K, Pajtim Kurtishaj deklaroi se posa kishte mbërritur në spital, policët e kishin njoftuar se vëllai i tij kishte ndërruar jetë dhe e informuan dhe kush e kishte kryer vrasjen.
Këtë deklarim, dëshmitari P.K e ka bërë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen për vrasje të M.K, në maj të vitit të kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fillim të seancës, avokati i të akuzuarit Orhan Ademaj, Blerim Mazreku deklaroi se nuk mund të vazhdohet me marrjen në pyetje të palëve tjera pa përfunduar dëshmia e të nënës së të ndjerit, e cila kishte filluar dëshminë në seancën e 8 tetorit, pasi që sipas tij, kjo do të përbënte shkelje të procedurës.
Mirëpo, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi e refuzoi një propozim të tillë dhe seanca vazhdoi me marrjen në pyejte të Pajtim Kurtishajt, në cilësinë e dëshmitarit.
Kurtishaj deklaroi se një shok i tij e kishte thirrur në telefon për t’i ka treguar se vëllai i tij është në spital dhe se nuk dihet se a do të shpëtojë, ndërsa shtoi se posa kishte mbërritur në spital, aty policët e kishin informuar se vëllai i tij kishte ndërruar jetë.
Ai tha se policia e kishte informuar se kush e kishte kryer vrasjen dhe tha se kjo vrasje kishte ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje të vogël në mes të të akuzuarve dhe tani të ndjerit M.K.
Tutje shtoi se pas asaj mosmarrëveshje që kishte ndodhur, vet ai kishte shkuar tek babai i të akuzuarve që ta zbus situatën dhe i njëjti kishte deklaruar se njërin djalë e ka në burg dhe pa dalë ai nuk mund të thoshte asgjë dhe se ashtu kishte mbetur puna pa marrëveshje.
Duke folur rreth mosmarrëveshjes mes të akuzuarve dhe tani të ndjerit M.K, Pajtim Kurtishaj tha se M. para 3 viteve ka pasur një mosmarrëveshje me Orhan Ademaj.
Ai tha se gjersa tani i ndjeri po shëtiste një qen të racës pitbull, Orhani i kishte reaguar duke i thënë që mos ta shëtit më qenin nëpër rrugët e lagjes pasi që atyre iu pengon e ashtu ka ndodhur që kishte pasur edhe përleshje fizike mes të njëjtëve.
Dëshmitari vazhdoi duke thënë se pas vrasjes, familja Ademaj kishte dërguar njerëz që të pajtohen familjet, mirëpo këto i kishte refuzuar pasi që thotë se pajtimin e kishin dashur para vrasjes, e që tani pas vrasjes nuk ka më kuptim e njëjta marrëveshje.
Në fund tha se ata jetonin në lagjen Kurilla dhe se të akuzuarit e kishin ndjekur M. nëpër qytet deri në lagjen “Tranziti i ri”, ku edhe kishte ndodhur vrasja.
Pas kësaj është dëgjuar edhe dëshmitari Erzen Bytyqi, ku së pari është lexuar deklarata e tij e dhënë në Prokurori më 10 qershor 2020, i cili pastaj qëndroi pranë kësaj deklarate, e cila thotë se është e vërteta.
Dëshmitari Bytyqi tha se në ditën kritike ishte duke punuar në punëtorinë e tij dhe se vetëm e kishte dëgjuar skuterin duke kaluar nga punëtoria e tij.
Pas kësaj dëshmitari ka kërkuar që të ndërpritet marrja në pyetje ndaj tij, pasi që nuk e ka gjendjen shëndetësore të mirë.
Prokurori Genc Nixha i propozoi gjykatës që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet M.H, mirëpo para kësaj i kërkoi gjykatës që të kërkohet mendimi i ekspertëve nga IPFK, që ata të japin mendimin me shkrim gjykatës se dëshmitari në fjalë a është në gjendje apo jo të dëshmojë në gjykatë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi aprovoi propozimin e prokurorit lidhur me dëshmitarin Halilaj dhe për këtë do të lëshohet urdhëresë ndaj IPFK, me të cilën do të kërkohet mendimi profesional lidhur me gjendjen e psikike dëshmitarit M.H dhe mundësinë e aftësinë e tij mendore për dhënien e deklaratës para gjykatës.
Pas kësaj, shqyrtimi gjyqësor ndërpritet për shkak të përfundimit të orarit dhe i njëjti do të vazhdojë më 8 dhjetor 2021.
Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 30 tetor 2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Transiti i ri”, në bashkëkryerje me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin M.K.
Tutje sipas aktakuzës thuhet se ditën kritike derisa të pandehurit ishin në qarkullim me veturën e tyre të markës “Golf III”, të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Albert Ademaj, në momentin që e vërejnë të ndjerin M.K, i cili ishte në cilësinë e pasagjerit në motoçikletën e dëshmitarit Miran Halili, i përcjellin me automjetin e tyre së pari në lagjen “Ortakoll” dhe iu afrohen motoçikletës.
Bazuar në aktakuzë, vetë dëshmitari Miran deklaron se ka vërejtur thikën në dorën e të pandehurit Orhan dhe me qëllim të shmangies së konfliktit eventual i njëjti duke e drejtuar motoçikletën lëviz në drejtim të lagjes “Arbanë”, gjithnjë duke u ndjekur pas nga të pandehurit, të cilët kanë qenë në veturën e tyre.
Sipas aktakuzës, kur kur arrijnë në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Transit i ri ” në Prizren, e cila rrugë nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë për skaj rruge ku është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre iu janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën.
Thuhet se pas kësaj, i pandehuri Orhan pasi që del nga automjeti i afrohet të ndjerit M. dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit, pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes derisa viktima duke e mbajtur dorën në plagën e shkaktuar, pas së cilës ka ardhë auto ambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren.
Me këtë rast, sipas aktakuzës është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete, sipas raportit të mjekut kujdestar Sadri Hulaj me nr.3227 të datës 1 maj 2020.
Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.