Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve dhe pjesëmarrësve në Gjykatën e Pejës, të cilët pamundësonin mbajtjen e distancës, është anuluar rigjykimi ndaj të akuzuarve Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, të cilët akuzohen për vrasjen e tani të ndjerit Ferdinand Gjini.
Anulimin e kësaj seance për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, i cili tha se deri të anulimi i kësaj seanca ka ardhur për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve dhe të akuzuarve në gjykatore, e cila pamundësonte mbajtjen e distancës të përcaktuar sipas vendimeve për parandalimin e pandemisë Covid-19.
Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua më 2 dhe 4 nëntor 2021.
Për këtë rast, Gjykata Supreme e Kosovës ka anuluar aktgjykimin dënues të Gjykatës së Pejës ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt, Avni Sinanajt dhe Gjon Pnishit, të cilët ishin dënuar me 49 vite burgim, vendim ky i vërtetuar nga Apeli.
Gjykata Supreme ka arsyetuar se dispozitivi i aktgjykimit i gjykatës së shkallës së parë është i paqartë dhe në kundërshtim me cilësimin juridik të veprës penale të bashkimit kriminal.
Vendimi i Supremes është marrë pasi në korrik të vitit 2020, Gjykata e Apelit e kishte konsideruar të ligjshëm dhe të drejtë vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin të pandehurit Bekim Raja, Murat Sinanaj, Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi ishin dënuar me 49 vite burgim, për vrasjen e tani të ndjerit Ferdinand Gjini.
Më 21 nëntor 2019, Murat Sinanaj ishte dënuar me 19 vite burgim, i akuzuari Bekim Raja me 15 vite burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vite burgim, kurse i akuzuari Gjon Pnishi me 6 vite burgim.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018, nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe të përmirësuar më 15 prill 2021, Prokuroria e Pejës e akuzon të pandehurin Bekim Raja se në muajin maj 2012, në Zvicër, me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka shtyrë të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Bekim Raja u kishte premtuar se nëse vrasjen do ta kryejnë sa më shpejtë, do të shpërblehen me shumën prej 150 mijë CHF, kurse nëse vrasja do të ketë vonesë, do të shpërblehen 100 mijë CHF.
Gjithnjë sipas aktakuzës, deri te vrasja e të ndjerit kishte ardhur pasi Ferdinand Gjini, së bashku me Mark Kqirajn, e kishin rrahur të pandehurin Bekim Raja. Prokuroria përshkruan se Raja përmes dëshmitarit bashkëpunues “D1″, është takuar me të pandehurin Gjon në Zvicër, të cilët kishin lidhur marrëveshje.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Gjon e bartë porosinë tek të pandehurit Avni dhe Murat për vrasjen e viktimës Ferdinad Gjini, e cila vrasje është kryer më 23 qershor 2014, në fshatin Prapaqan të Deçanit, nga i pandehuri Murat, i cili për këtë sipas aktakuzës është shpërblyer më shumën 100 mijë CHF.
Me çka ka kryer veprën penale “shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.8 e lidhur me nenin 32, paragrafin 1 të Kodit Penal.
Të pandehurit Gjon Pnishi dhe Avni Sinanaj akuzohen se pas marrëveshjes mes tyre për të kryer vrasjen sipas porosisë së të pandehurit Raja, fillojnë përgatitjet për këtë veprim që nga viti 2012.
Sipas akuzës, të pandehurit Avni dhe Gjon shfrytëzojnë gjendjen jo të mirë financiare të viktimës Ferdinad, duke e joshur me substanca narkotike, ashtu që një natë para vrasjes takohen të pandehurit me viktimën në Gjakovë dhe merren vesh që në ditën kritike viktima, së bashku me Pnishin, të shkojnë te i pandehuri Avni në Isniq të Deçanit për të marrë një sasi të narkotikëve.
Sipas akuzës, në ditën kritike viktima niset për në drejtim të Deçanit, i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi dhe me të arritur te ura që lidh fshatrat Llukë e Prapaqan, i pandehuri Murat i cili kishte dalë në pritë, me të vërejtur viktimën duke kaluar mbi urë pas veturës së të pandehurit Gjon, me armë automatike shtie në drejtim të veturës duke e privuar nga jeta.
Në aktakuzë thuhet se pas vrasjes, i pandehuri Bekim të pandehurve Gjon, Avni dhe Murat përmes “D1” dhe familjarëve të pandehurit Gjon, Avni dhe Murat, si shpërblim ua jep shumën prej 100 mijë CHF.
Me çka duke vepruar si bashkëkryerës, kanë kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, nga neni 179, paragrafi 1 pika 1.6 e lidhur me nenin 31 dhe nenin 33, paragrafi 1 të Kodit Penal.
I akuzuari Murat Sinanaj akuzohet se më 23 qershor 2014, në fshatin Prapaqan të Deçanit, sipas porosisë të të pandehurit Bekim dhe përmes ndihmës nga të pandehurit Gjon dhe Avni, në planifikim e vrasjes, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, në mënyrë dinake e privon nga jeta tani të ndjerin Ferdinad Gjini, duke shtënë në veturën e të ndjerit me armë automatike
Me çka ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 pika 1.4 dhe 1.6 të Kodit Penal, vepër ku kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.