Vrasja me thikë në Prizren, i akuzuari pretendon se në procesverbalin e seancës së fundit s‘janë futur disa fjali

Prishtinë | 07 Nën 2024 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prizren, në rigjykimin për vrasjen e M.K., me thikë tek “Tranziti i ri” në Prizren, i akuzuari Albert Ademaj dhe avokati i tij Klodian Krasniqi kanë thënë se në procesverbalin nga seanca e fundit të datës 27.09.2024, nuk janë futur disa fjali.

Në këtë rast, Orhan dhe Albert Ademaj ngarkohen se më 1 maj 2020 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Tranziti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin M.K., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Krasniqi dhe i mbrojturi i tij Albert Ademaj deklaruan se në procesverbal nuk ishin përshkruar, përkatësisht kërkesa e të akuzuarit Albert Ademaj për përjashtimin e Prokurorit të rastit.

I akuzuari Albert Ademaj, tha se ai kishte bërë kërkesën për përjashtimin e prokurorit, Genc Nixha ngase sipas tij i njëjti në seancën e fundit por edhe në seancat e mëhershme i kishte kërcënuar.

Ai tha se prokuroi i ishte drejtuar me fjalët: “mos gabo me kqyr”, “çka po më kqyr”, të cilat fjalë sipas tij nuk ishin cekur në procesverbal.

Të ngjashme