Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë “Isa Greza”, ka dalë me njoftim lidhur me rastin e rëndë të ndodhur mbrëmë në këtë qytet, ku një 18-vjeçar u vra e tre të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas njoftimit, të dielën mbrëma rreth orës 21:30, në Shërbimin e Emergjencës të Spitalit ishin pranuar katër persona të lënduar, të shoqëruar nga familjarët e tyre, ku njëri prej tyre ishte sjell pa shenja jete.
“Ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë të gjitha procedurat e nevojshme të reanimimit, por përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, pacienti nuk ka arritur të mbijetojë si pasojë e lëndimeve të rënda të pësuara”, thuhet në njoftim.
Pos tjerash, spitali ka bërë të ditur se pacienti i dytë është hospitalizuar dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy pacientët e tjerë, pas trajtimit dhe ekzaminimeve të nevojshme mjekësore, janë liruar për trajtim të mëtejmë në kushte shtëpiake.
“Stafi mjekësor ka reaguar menjëherë dhe ka ofruar kujdesin e nevojshëm shëndetësor për të gjithë pacientët e pranuar”.