Vrasja në Kolovicë, 30 ditë paraburgim për njëri nga të dyshuarit

Prishtinë | 30 Mar 2024 | 14:27 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka caktuar masën e paraburgimit kundër Lum Halimajt, 25 vjeç, i dyshuar për “vrasje të rëndë”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.H për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje me të pandehurit K.G dhe B.K, të cilët gjenden në arrati kanë kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar gjykata.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lum Halimaj dyshohet për vrasjen e të martës ku Egzon Haliti mbeti i vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa u plagos edhe një grua që s’ishte e përfshirë në rast. Ajo vdiq të nesërmen në QKUK.

I dyshuari 25 vjeçar ishte plagosur natën e krimit dhe më pas ishte dërguar në QKUK. Pasi i është përmirësuar gjendja, Policia ka njoftuar se ai është dërguar në mbajtje.

Të ngjashme