48-vjeçarja Lirije Qerimaj që u vra të mërkurën në Llaushë të Skenderajt, dyshohet se kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikike edhe në të kaluarën, nga i dyshuari bashkëshorti i saj Skender Qerimaj, i cili tashmë ndodhet në paraburgim. Sipas dëshmisë së djalit të çiftit, 51-vjeçari kishte tentuar ta mbyste me çarçaf nënën e tij në gusht të vitit të kaluar, gjatë kohës sa kjo ishte në gjumë. Sipas tij, dhuna dhe konflikti në familje kanë ardhë si pasojë e xhelozisë së babait ndaj nënës së tij.
Viktima, Lirije Qerimaj, e kishte raportuar dhunën e burrit më 1 janar në Stacionin Policor në Skenderaj, nga ku kishte kërkuar edhe urdhër-mbrojtje.
“Nga deklarata e të dëmtuarës, dhënë në Stacionin Policor në Skënderaj më 1 janar, rrjedh se burri i saj ushtron dhunë fizike dhe psikike ndaj saj dhe natën e Vitit të Ri, derisa po i shikonte urimet e Vitit të Ri nga kunatat e saj, i pandehuri i kishte thënë “kush po të shkruan”, dhe e dëmtuara ia kishte kthyer se “kunatat”. I pandehuri ia kishte marrë telefonin dhe ia kishte shikuar duke e akuzuar se “je duke shkruar me persona të tjerë” dhe shkas i problemeve është xhelozia e tij e tepërt që ka ndaj saj”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.
Viktima katër ditë para se të vritej ka deklaruar në polici se bashkëshorti e ka rrahur shpesh herë me çka ka pasur në dorë.
“Sa shpesh më ka rrahë dhe më ka goditë me çka ka pasur në dorë, krejt syrin e kam pasur të mavijosur nga rrahja e tij në korrik të vitit 2021. Rastin nuk e kam raportuar në polici se po dyshoj mos ka ndonjë sëmundje mendore, e po i kalon gjithë kjo xhelozi që e ka. Por edhe me fëmijët është i egër, vetëm se fëmijët i rrijnë larg se nganjëherë kanë frikë nga ai”. Prej se jam martu kam probleme me burrë, dhunë fizike dhe psikike shpesh herë tenton të më largojë nga shtëpia….E njëjta ka rrëfyer se nuk është e pajtimit të ndahet nga bashkëshorti në rast se nuk ushtron dhunë ndaj saj. Njëherit ka deklaruar se ka nevojë për urdhër-mbrojtje dhe nuk e di se ku të shkoj në rast se burri nuk e lejon në shtëpi”, thuhet tutje në dosjen e prokurorisë.
Aty theksohet se i pandehuri ka aluduar se gruaja po e tradhton por se nuk e di me kënd dhe se fëmijët i kanë thënë të mos e akuzojë nënën e tyre pa fakte.
Dëshmia e djalit të çiftit
Siç përshkruhet në kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Skender Qerimaj, nga deklarata e djalit të çiftit dhënë në polici, pos të tjerash rrjedh se në ditën kritike ka qenë tek një fqinj i tij, aty e ka thirrë djali i hallës duke i thënë “shko në shtëpi se Skenderi e ka mbytë Lirinë”, i njëjti ka shkuar në shtëpi ka parë djalin e axhës, gruan e axhës dhe motrën e tij.
“Kanë hyrë në dhomën e ndejës dhe e kanë parë nënën e tij, tani të ndjerën, të shtrirë për toke dhe kishte gjak në fytyrë. Dikush e ka thirrë policinë, pastaj ka ardhë edhe autoambulanca. Prindërit e tij kanë pasur probleme për shkak të xhelozisë ku babai shumë herë e ka pyetur nënën se “a ke pas punë me ndonjë person tjetër”, por rastet nuk janë raportuar në polici deri më 1 janar 2022”, thuhet tutje në dosjen e prokurorisë.
Djali i çiftit ka thënë se 51-vjeçari ka bërë përpjekje që nënën t’ia mbyste me çarçaf në gusht të këtij viti, gjatë kohës sa viktima ishte në gjumë.
“Në muajin gusht 2021, babai ka bërë përpjekje që natën kur ka qenë në gjumë ta plas me çarçaf, por nëna ka ikur në dhomën e fëmijëve por rastin nuk e kemi raportuar me shpresë se bëhet mirë”.
Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, i pandehuri ka mbajtë armë në shtëpinë e tij, nga një datë e pacaktuar deri më 5 janar 2022, “të cilën i pandehuri pas kryerjes së veprës penale “vrasje e rëndë” e ka dorëzuar në polici së bashku me tre fishekë”.
“I pandehuri ka deklaruar në polici se armën e ka marrë nga daja i tij, ndërsa ka thënë se edhe më herët ka pasur problem me gruan dhe njëherë e ka rrahë me duar dhe shuplaka”.
I pandehuri nuk është deklaruar në seancën dëgjimore të gjykatës, pasi sipas mbrojtjes së tij Elvir Imeri, ai ndodhet në gjendje të keqe emocionale dhe ka qajtur gjatë tërë kohës, shkruan Express.
Sipas avokatit të Qerimajt, Elvir Imeri, i pandehuri ndihet i dëshpëruar dhe nuk e mban mend rastin e vrasjes së gruas. Prandaj avokati ka kërkuar që klientit të tij t’i bëhet ekzaminim psikik.