D.K rreth 28 vjeç dyshohet se ka privuar nga jeta gjyshin e tij, K.I. 95 vjeç, të premten në fshatin Izvor të Komunës së Novobërdës. Viktima u ther 12 herë me thikë në pjesën e krahërorit dhe abdomenit përderisa ishte në gjumë, ndërsa rasti në polici fillimisht u raportua si “vetëvrasje”. Por, kur prokurori doli në vendin e ngjarjes vdekja e të moshuarit u cilësua si “vrasje e rëndë”.
Gjykata Themelore e Gjilanit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për nipin që dyshohet se vrau me thikë gjyshin e tij.
“Vrasja ka ndodhur brenda shtëpisë, viktima është i moshës 95-vjeç, ndërsa i dyshuari është rreth 28-vjeç, do të thotë nipi i tij”, tha Uka të dielen për Gazetën Express.
Tutje, Prokurori deklaroi se viktima ishte në gjumë kur mori 12 goditje me thikë.
“Viktima i ka 12 goditje me thikë, ka qenë fjet viktima…Janë marrë provat, gjurmët e gjakut, është marrë thika si dhe është lëshuar urdhëri për autopsi”, tha më tej Uka.
I pyetur se në cilat pjesë të trupit ka pësuar lëndime viktima, ai tha, “lëndime ka pasur në pjesën e përparme, në krahëror ka pasur gjashtë plagë në anën e majtë, në pjesën e abdomenit i ka edhe gjashtë të tjerë. Thika ka qenë në abdomen, e ngulur rreth 15 centimetra”.
Kemi të bëjmë me “vrasje të rëndë”, shtoi prokurori.
Po ashtu është bërë intervistimi i të dyshuarit dhe dy dëshmitarëve të tjerë.
“Kërkesa është bërë për paraburgim, gjykata e ka aprovu kërkesën për vrasje të rëndë të anëtarit të familjes”, tha më tej prokurori kujdestar Agron Uka.
Tutje ai tha se i dyshuari është në gjendje të mirë shëndetësore, teksa ka theksuar se “nuk e ka kryer vrasjen e gjyshit”.
Të njëjtit akoma nuk dihet nëse kanë pasur probleme mes vete, teksa motivi i vrasjes mbetet i paqartë.
Prokuroria po vazhdon ta hetojë këtë rast.
Çfarë tha policia sot në raportin 24-orësh për vrasjen në Novobërdë?
“Novobërdë 15-16.01.2021 – 20:30. Fillimisht ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se gjyshi i tij ka bërë vetëvrasje. Në vendin e ngjarjes ka dalur edhe prokurori i shtetit, i cili bënë ri cilësimin e veprës nga vdekje e dyshimtë në vrasje të rëndë. Me vendim të prokurorit është bërë arrestimi i ankuesit tani i dyshuar mashkull kosovar dhe është dërguar në mbajtje”, u njoftua me anë të raportit të policisë.