Vrasja në qendër të Tiranës, Buçpapaj rrëfen krimin: I rashë borisë të hapte rrugën, por më shau

Prishtinë | 03 Mar 2026 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Zbardhet dëshmia e Gazment Buçpapës, të arrestuarit një ditë më parë, i akuzuar për vrasjen me thikë pas përleshjes të Egli Pashollarit, ngjarje e ndodhur në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë.

I marrë paraprakisht në pyetje nga oficerët dhe prokuroria, ai ka pretenduar se viktima e kishte ofenduar në sy të bashkëshortes së tij, teksa i kishte bllokuar edhe rrugën me makinë.

“Egli Pashollari më shau nga makina. I rashë borisë për hapjen e rrugës. Unë veprova në kushtet e vetëmbrojtjes”, ka thënë Buçpapa, duke shpjeguar edhe arsyen pse veproi me armë të ftohtë.

Ai ka folur edhe për dinamikën e ngjarjes. “Mora gruan në punë dhe u nisa për në spital, por gjeta rrugën e bllokuar. Unë i rashë borisë, por ai doli nga makina dhe më shau”, ka thënë i dyshuari.

Policia bëri me dije se Gazment Buçpapa u lokalizua në banesën ku fshihej në vendlindjen e tij, në Tropojë. Ai akuzohet për veprat penale “vrasja me dashje” dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Kujtojmë se 31-vjeçari Egli Pashollari u vra pasditen e 20 shkurtit, në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë.

Bashkëshortja e Buçpapës, e cila punon shitëse në një market në afërsi të vendit ku ndodhi krimi, i ka treguar burrit se Pashollari e ngacmonte, por Buçpapa pretendon se shkak ka qenë zënia e rrugës me makinë dhe ofendimet.

Të ngjashme