Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me Misionin në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kanë mbajtur konferencë për Gazetarët e zhdukur dhe të vrarë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, 4 gazetarë raportohen si të zhdukur dhe 11 të vrarë që nga viti 98 deri në vitin 2005.
Shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ka thënë se mosndëshkimi i këtyre rasteve i inkurajon gabimet e mëtutjeshme.
“Siç e dimë, 15 gazetarë dhe punëtorë të mediave janë zhdukur ose vrarë në periudhën 1998-2005. Shumica e krimeve kanë ndodhur në vitin 1998-99, por disa prej tyre kanë ndodhur edhe pas konfliktit. Jemi këtu për të kërkuar drejtësi për gazetarët dhe punëtorët e mediave që janë heshtur në punën e tyre gjatë një kohë të vështirë. Aspekti njerëzor ka aq rëndësi sa aspekti politik – është me rëndësi të mos harrojmë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Është më rëndësi për mua ta theksoj që ne në OSBE nuk e shohim këtë si çështje etnike, por si çështje njerëzore. Ka të bëjë me persona civilë që kanë qenë duke e kryer një punë dhe janë vrarë apo rrëmbyer”.
Braathu tha se në dy dekadat e fundit Indeksi i Lirisë së Shprehjes renditin në vendin e 75-të Kosovën.
“Kosova tashmë renditet ndër vendet më të mira sa i përket të drejtave të gazetarëve. Kosova po bën përparim, por kjo nuk do të thotë se duhet të ndalemi këtu. Në këtë vit janë bërë 28 raste kërcënimesh dhe sulmesh ndaj gazetarëve që janë raportuar në AKG. Kjo tregon një rënie nëse e krahasojmë me vitet e kaluara. Mosndëshkimi i inkurajon gabimet e mëtutjeshme. Rastet që nuk trajtohen nga e kaluara mund t’i bëjnë njerëzit të mendoje se mund të ikin pa u ndëshkuar. Duam të themi se ndoshta mund të mos ndëshkohesh menjëherë, por ne nuk do t’i harrojmë këto raste. Duam që gazetarët të jenë të lirë kur raportojnë”.
Ai tha se vrasja e Enver Malokut dhe shumë raste të tjera mbetet ende mister.
“Njerëzit janë vrarë para hyrjes së banesës së tyre. Afrim Maliqi një tjetër i vrarë. Xhemajl Mustafa dhe dy të tjerë janë heshtur nga situata politike. Duhet të flasim për këta gazetarë qe janë përpjekur për punën e tyre, s’kanë qenë luftëtarë. Bëjmë thirrje për hetime efektive te këtyre rasteve dhe përpjekje serioze të institucioneve në trajtim të këtyre rasteve”, tha ai, raporton EO.
Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina, tha se janë gazetarët ata që përmes punës synojnë të parandalojnë krimin, abuzimin me pushtetin.
Ajo i ka kërkuar OSBE-së dhe të gjithë organizatave e ambasadave për krijimin e një fondi, që do të kontribuonte për hulumtimin dhe që do të shërbente si kujtim për gazetarët e vrarë.
“Vrasja e gazetarëve u pa si zgjidhje për te heshtur krimet e tyre. 20 vjet barra e Kosovës është rënduar pasi drejtësia për ta ka mbetur peng. Ata që kryen këto krime menduan të heshtin të vërtetën dhe shpresojmë që sa më shumë vjet kalojnë aq më pak bëhet për zbardhjen e tyre. Jo vetëm vrasësit, por edhe urdhër- dhënësit duhet ta dinë që kanë vrarë njërin prej nesh, ne s’do të ndalemi kurrë”.
Kryesuesi i Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë të regjistruar në Kosovë, Budimir Niçiq, ka propozuar që të formohet një komision i posaçëm që do merret me rastet e gazetarëve të zhdukur.
“Kosova është në vend të parë në nivel të Evropës sa i përket rasteve të pazgjidhura. Duhet të themelohet një komision ndërkombëtar për gazetarët e zhdukur nga 98 deri 2005 . Këto raste është dashur të zgjidhen shumë kohë më parë. Të gjitha informatat të mblidhen në një vend të vetëm. Gjykata Speciale për krime të luftës duhet të kryej hetime efikase dhe të procedojë këto raste pasi flitet për periudhat kohore që bien për këtë gjykatë”.
Për dy dekada, familjet dhe miqtë e gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur në Kosovë janë përpjekur të zbulojnë të vërtetën se kush janë vrasësit, kush janë rrëmbyesit dhe çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre.
Bardhyl Ajeti është gazetari i fundit i vrarë në Kosovës ndërkaq edhe pas 14 vjetëve vazhdon të jetë mister ky rast.
Gazetarja Beriane Mustafa rrëfen për babanë e vrarë Xhemajl Mustafën.
“A është e mundur që kjo po ndodhë në Kosovë, ku është komuniteti ndërkombëtar që ka shpenzuar miliona euro për resurse njerëzore, ku janë sot që në një Kosovë s’kanë mbërri me vë para drejtësisë vetëm 1 rast të një gazetari të vrarë. Të flasësh për vrasjen e gazetarëve të kërkosh drejtësi është e drejtë bazike. Me vra një njëri veç pse ka shpreh një opinion të tij, kjo është diçka që na prek secilit anëtar çdo ditë. Ka kohë qe skam pas kaq shumë emocione”, tha Mustafa, raporton EO.
Dijar Popova, djali i gazetarit të ndjerë të Rilindjes, Shefki Popova, tha se babai i tij është vrarë në hyrje të banesës në Vushtrri në rrethana të pasqaruara.
“Thuhet se dy persona e kanë pritur në hyrje të banesës dhe e kanë ekzekutuar. Babi im ka qenë një baba, një mik i përkushtuar që punën e tij e ka bërë me përkushtimin më të madh. Po flasim 18 vjet pas rastit, institucionet në këtë rast kanë dështuar që nga Eulexi, Unmiku. Ne endemi pa shpresë nëpër të gjitha institucionet që na kanë mbyllur vazhdimisht derën duke thënë se hetimet po vazhdojnë. 18 vjet s’mundemi të kuptojmë se si asnjë rast i vetëm nuk është zbuluar”, tha ai, raporton EO.
Bashkëshortja e të ndjerit Afrim Maliqi, Sevdije Maliqi, tha se këtë të hënë Afrimi do të mbushte 54 vjet nëse do të ishte gjallë.
“Në përvjetorin e vdekjes së tij, ai ka pasur edhe ditëlindjen. Shkrimet e tij për dikë kanë qenë bombastike dhe s’janë duruar. Ai ka qenë gjithmonë i përcjellur . Edhe kur kemi qenë bashkë, kemi qenë të përcjellur nga njerëz të dyshimtë . Jeta në atë kohë me gazetarë siç e kemi pasur ne s’ka qenë e lehtë”, u shpreh ajo, raporton Ekonomia Online.