Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vrasjeve të fundit në Kosovë.
Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo amulli në rritje, e përkthyer në dhunë dhe vrasje, nuk është Kosova që duam.
“Është shqetësues niveli i vrasjeve kohët e fundit në Kosovë-katër në vetëm dy ditë. As edhe një nuk do duhej të ndodhte në Kosovën e lirë. Kemi humbur shumë jetë në luftë për të mos humbur as edhe një në paqe. Dora e shtetit duhet të ndihet, para së gjithash, në sigurimin e rendit dhe qetësisë. Kjo amulli në rritje, e përkthyer në dhunë dhe vrasje, nuk është Kosova që duam”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se siguria e qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti numër një.
“Kjo sjellje në masë është reflektim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilët të parët nuk respektojnë rend, ligj e prokurori, duke i “trimëruar” kriminelët të të gjitha natyrave përmes amnistimit të sjelljes kriminale të shefit të shtetit. Ky është efekti zinxhiror i sjelljes banditeske nga i pari; Kosovën po e kthen në një shtet ku jeta dhe mirëqenia e qytetarëve janë jashtë kontrollit. Siguria e qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti numër një, dhe shembulli duhet të vijë nga ata që kanë institucionet në duar”, është shprehur Haradinaj.