Pas vrasjes në rrethana misterioze të katër shqiptarëve në Greqi gjatë dy javëve të fundit ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Aleksandros Genimatas tha se të gjitha këto raste janë nën hetim nga autoritetet.
Ai i bëri thirrje Ministrisë së Jashtme shqiptare që të tregojë përgjegjshmëri, duke u shprehur se në një vend evropian si Greqia funksionon në mënyrë efektive sundimi i ligjit.
“Greqia është një vend evropian ku sundimi i ligjit funksionon në mënyrë efektive. Autoritetet kompetente kanë trajtuar menjëherë situatat e përmendura nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të cilat janë hetuar dhe janë zgjidhur tashmë, siç është përmendur në një deklaratë relevante nga Policia Greke. Vendimmarrja e Autoriteteve Greke për të goditur krimin në të gjitha format e saj është një e dhënë. Gjithashtu, përsërisim qëndrimin tonë të vetëdijshëm kundër çdo forme të dhunës dhe racizmit, që mund të çojë në humbjen e jetës njerëzore. Përgjigjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, që lidhin raste të ndryshme penale dhe t’i atribuojnë ato në një ‘fushatë urrejtjeje dhe dhune’ të padeklaruar, nuk korrespondojnë me realitetin dhe janë të papranueshme. Duke pritur raportin përfundimtar për vdekjen e shtetasit grek Konstantinos Katsifas nga goditja e forcave shqiptare të sigurisë, ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit fqinj për të demonstruar përgjegjësi, si dhe vetëpërmbajtje dhe përkushtimin e diktuar nga rrethanat”, ka thënë Aleksandros Genimatas.