Vrasjet në Velipojë, arrestohen dy të plagosurit

Prishtinë | 01 Kor 2021 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” pa afat për H. F. dhe E. D., dy personat e plagosur në ngjarjen e Velipojës, të cilët u arrestuan si të përfshirë në ngjarjen e Velipojës që prodhoi katër të vrarë. Seanca është mbajtur në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes shëndetësore të të plagosurve.

Burime për TV Klan bëjnë me dije se prokuroria kërkoi për të dy arrest në burg, ndërsa pala mbrojtëse kërkoi masë më të lehtë për 17-vjeçarin, E. D., për shkak të moshës, kërkesë kjo që nuk u pranua nga gjykata. Gjithashtu mësohet se në seancën e improvizuar, dy të plagosurit nuk kanë dhënë deklarime rreth ngjarjes.

Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës në plazhin e Velipojës, teksa konflikti për ndarjen e hapësirës së plazhit për vendosjen e shezlongëve mes 2 hoteleve degjeneroi në përdorimin e armëve.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbetën të vrarë Kujtim Ferracaku 59-vjeç, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38-vjeç, si dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç, punonjës i shezlongëve që kishte nisur punën pikërisht një ditë para ngjarjes.

Gjithashtu në këtë përplasje me armë mbetën të plagosur edhe vëllai i Kujtim Ferracakut, Hasani dhe nipi i tij Elmilind Dyli, të cilët si pasojë e plagëve të marra ndodhen ende në spital.

Konflikti mes familjeve që kanë në pronësi hotelet “Fantazia” dhe “Gocaj” dhe që ndodhen vetëm 50 metra larg njëri-tjetrit kishte ditë që kishte nisur për ndarjen e sipërfaqes së plazhit. Në orët e vona të shtunës anëtarët e familjes Ferracaku shkuan në hotelin Gocaj me qëllim që të sqaroheshin, por situata doli jashtë kontrollit dhe palët nxorën armët duke lënë të vrarë nga të dy krahët.

Të ngjashme