Pas disa orësh në arrati është arrestuar nga policia 37-vjeçari që vrau babanë e tij Qemal Muhametaj në Mallakastër. Policia përmes një njoftimi bën me dije se ka prangosur Mariglen Muhametajn.
Mbrëmjen e kaluar, në fshatin Greshicë të Mallakastrës 37-vjeçari i mori jetën të atit, duke e goditi me sende të forta.
Pas krimit ai u largua menjëherë nga banesa, ndërsa policia u vu në ndjekje të tij. Dyshimet janë se autori vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Ndërkohë kryeplaku i fshatit Kastriot Hysenaj e përshkruan 37-vjeçarin si tip të mbyllur, ndërsa thotë se kishte edhe probleme të shëndetit mendor.
Ai shprehet se ngjarja mund të ketë ardhur si pasojë e një debati të çastit, pasi atë e bir nuk kishin konflikte.
“Më mori i plotfuqishmi i zonës. Kur vajtën aty e gjetëm të vrarë. Djalin nuk e gjetëm aty. Në momentin që kishte shkuar xhaxhai, ai kishte ikur poshtë. Ka qenë i sëmurë. Ishte djalë i qetë. Nuk e dinim që do arrinte deri në këtë gjendje. Nuk ka pasur konflikte. Rrinte me dhi. Nuk e kam parë me njerëz negativë. Ka qenë tip i mbyllur.
Për mendimin tim ka qenë e çastit. E ëma është e paralizuar. Në momentin që kam ardhur unë çdo gjë kishte mbaruar. I ati ishte shumë njeri i qetë, punëtor, nuk ngatërrohej me njeri. Na duket një gjë absurde. Probleme mendore ka pasur, nuk e di nëse kurohej. Nuk ishte djalë që të merrej me shoqëri të keqe”, thotë kryeplaku.
Njoftimi i policisë:
Kapet autori i ngjarjes së ndodhur në Greshicë të Mallakastrës, ku mbeti i vrarë nga djali i tij, 73-vjeçari Q. M.
Pas disa orë kërkimesh të pandërprera nga forcat e Policisë së Komisariatit Mallakastër dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. M., 37 vjeç, i cili vrau me sende të forta babain e tij, shtetasin Q. M.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vrasja, në rrethana të tjera cilësuese”.