Vrau krushkun me çifte në Borsh, dalin detaje të ngjarjes

Prishtinë | 02 Qer 2017 | 10:12 | Nga

Zbulohen detaje të reja për krimin e ndodhur një ditë më parë në Borsh të Himarës. Mësohet se shkak për vrasjen përveç një sherri mes dy familjesh, ku viktima Hetem Brahimaj, 79 vjeç dhe autori Sokrat Xhuveli, 57 vjeç ishin krushq me njëri-tjetrin, ka dyshime se krimi mund të ketë ndodhur edhe për një konflikt pronësie.

Mësohet se Brahimaj dhe Xhuveli fillimisht kanë pasur një debat të ashpër mes tyre, ndërsa pas grindjes 57-vjeçari ka marrë një armë gjahu në banesën e tij dhe ka shkuar në shtëpinë e krushkut të tij duke e qëlluar për vdekje.

Mbesa e autorit është e martuar me djalin e viktimës dhe policia po heton rreth faktit nëse mund të ketë pasur një grindje brenda familjes së 79-vjeçarit me nusen e shtëpisë. Dyshohet se pas ankesës së kësaj të fundit për sherret e vijueshme me vjehrrin, ka shkuar daja i saj për t’u sqaruar dhe kërkuar llogari, por më pas situata ka dalë jashtë kontrollit duke precipituar në vrasje.

Një pistë tjetër në të cilën po heton policia, është ajo e konfliktit të pronësisë. Kjo pasi ngritja e një kasolle bagëtish nga ana e viktimës afër tokës së autorit ka sjellë grindje mes tyre. Sipas dëshmive të banorëve të tjerë, konflikti për këtë pronë ka ekzistuar edhe më parë, pavarësisht lidhjeve mes tyre dhe fqinjësisë, shkruan Panorama.

Nga hetimet e Policisë, Brahimaj kishte kërkuar disa herë ngritjen e një kasolle për të strehuar bagëtitë afër tokës së 57- vjeçarit, kërkesë e cila ishte kundërshtuar nga Xhuveli, duke i sugjeruar që të gjente një vend tjetër më të përshtatshëm.

Megjithatë, policia nuk përjashton pista të tjera të mundshme, përfshirë edhe të ndonjë grindjeje të momentit, e cila më pas ka përfunduar në vrasjen e njërit prej dy shtetasve të përfshirë në sherr.

Kujtojmë se autori i vrasjes u prangos pak pas ngjarjes dhe u dërgua në Komisariatin e Himarës, ku gjatë dëshmisë ka deklaruar se nuk ka dashur ta vrasë 79-vjeçarin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme