Vriten 28 civilë në Afganistan, shumica fëmijë, gra e pleq

Prishtinë | 29 Qer 2021 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Luftimet intensive në provincën veriore afgane, Kunduz, lanë të vrarë së paku 28 civilë dhe plagosën 290 të tjerë këtë javë, sipas zyrtarëve në spitale. Këto viktima u shënuan në kohën kur trupat e huaja po tërhiqen nga vendi i rrënuar nga lufta.

Ehsanullah Fazli, drejtor i spitalit provincial në Kunduz, tha se 28 trupa dhe 290 civilë të plagosur janë dërguar në dy spitale lokale në tri ditët e fundit, ndërsa shumica prej tyre janë fëmijë gra e pleq.

“Lufta është ende duke vazhduar në qytetin Kunduz dhe numri i vdekjeve do të rritet”, tha drejtori i spitalit.

Luftimet janë shtuar në Afganistan, veçanërisht në pjesën veriore, ku talibanët ditëve të fundit kanë kryer një valë sulmesh, duke e zgjeruar kontrollin përtej bastioneve të tyre jugore, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Që nga prilli i këtij viti, kur Shtetet e Bashkuara njoftuan për planin e tërheqjes së trupave pa kushte deri më 11 shtator pas gati 20 viteve konflikt, dhuna ka eskaluar në mbarë vendin, pasi talibanët po mundohen të marrin më shumë territore nën kontroll.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Afganistanin tha këtë javë se talibanët kanë marrë më shumë se 50 nga 370 distriktet dhe janë në pozitë që të marrin nën kontroll kryeqytete provinciale. Situata e sigurisë po duket e paqëndrueshme dhe analistët kanë paralajmëruar për rritje të rrezikut për luftë civile, sepse më shumë grupe i kanë kapur armët.

Të ngjashme