Një ngjarje kriminale ka ndodhur në fshatin Gjocaj të Peqinit mëngjesin e kësaj të marte. Sipas informacioneve policore, ka mbetur i vrarë me armë zjarri 44-vjeçari Ylber Xhahysa. Ky i fundit mbeti fillimisht i plagosur por fatkeqësisht ndërroi jetë në spital.
Mësohet se autori i dyshuar i ngjarjes, Leonard Bashaliu 36 vjeç, është arrestuar pas disa minutash ndjekje nga policia. Po kështu autorit iu sekuestrua edhe pistoleta e krimit. Dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur për motive banale.
Shkaqet dhe rrethanat janë të paqarta. Në vendngjarje kanë shkuar forcat policore, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e dinamikës.
Informacioni paraprak i Policisë së Elbasanit:
Më datë 08.06.2021, rreth orës 08:30, në fshatin Gjocaj, Peqin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi L. B. banues në Gjocaj, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Y. Xh. banues në fshatin Pajov, i cili si pasojë e plagëve ta marra ndërroi jetë në spitalin e Peqinit. Reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur identifikimin e autorit, lokalizimin e vendndodhjes dhe pas disa minutash ndjekje nga shërbimet e Policisë u bë e mundur kapja dhe prangosja e autorit të dyshuar së bashku me armën e zjarrit pistoletë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.